Shqipëria

Policia Rrugore ‘aksion’ në rrugë, arrestohen dhe procedohen 28 persona


Gjatë javës së parë të janarit, 28 drejtues mjetesh janë arrestuar nga Policia Rrugore e Tiranës, pasi po drejtonin mjetet në gjendje të dehur dhe pa patentë.

Gjithashtu nga kontrollet janë pezulluar 192 leje drejtimi, nga të cilat, 56 janë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit, 100 për drejtim mjeti mbi shpejtësinë e lejuar dhe 36 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Sipas autoriteteve, 20 prej tyre janë arrestuar në flagrancë për drejtim mjeti në gjendje të dehur, dy shtetas për drejtim mjeti pa leje drejtimi, dy janë proceduar në gjendje të lirë, për shkak se ishin të mitur, pasi janë kapur duke drejtuar mjetet pa leje drejtimi, dy për kundërshtim të punonjësit të Policisë apo mosbindje ndaj urdhrit të tyre.

Ndërsa dy persona janë të proceduar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare”.

Bëhet me dije se janë vendosur 6 mijë e 178 masa administrative, mesatarisht 883 masa në ditë, të ndara në kategori sipas shkeljeve.

Policia njofton gjithashtu se, 56 masa janë vënë për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike, 100 masa për shpejtësi tej normave të lejuara/gara shpejtësie, 362 masa për parakalime të gabuara, 627 masa për përdorim të aparatit celular, 378 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 295 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse.

62 masa janë vendosur për mosrespektim të semaforit, 312 masa për mosrespektim të orarit të qarkullimit brenda qendrave të banuara të mjeteve të tonazhit të rëndë dhe atyre të transportit të mallrave, 3986 masa për parkime të gabuara dhe shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Nga kontrollet, janë bllokuar 32 mjete, nga të cilat: 25 mjete me targa të huaja dhe mjete luksi, të cilat janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, për verifikim nga Seksioni kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, 4 mjete për mos likuidimin e gjobave dhe 2 për mungesë në dokumentacion.

Policia Rrugore e Tiranës falënderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore