Policia publikon pamjet: Radojiçiç ishte një nga të ngujuarit brenda manastirit në Veri

Foto: Albanian Post.

Altina Marmullaku
26.09.2023 12:42
Loading Icons...

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje të nënkryetarit të Listes Serbe, Milan Radojiçiç ku shihet në Veri, saktësisht në Banjskë.

Ai e ka publikuar videon në rrjetin social ‘Facebook’ duke thënë se është udhëheqës i grupit terrorist dhe sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”.

“Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiç përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiç kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë”.

Sipas ministrit, Lista Serbe, është duke e parë pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste.

“Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan”.

Sipas mediumit boshnjak Istraga.ba, Radojiçiç, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është i dyshuar edhe për vrasjen e politikanit serb nga Kosova Oliver Ivanoviç-it, ndodhet në Serbi dhe po trajtohet.

Se krimineli serb ishte në Veri, e tha edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media të hënën ku janë prezantuar armët, uniformat dhe pajisjet logjistike të konfiskuara nga Policia e Kosovës në Veri, ka thënë se janë gjetur edhe dokumente të Radojiçiç-it.

Sipas ministrit, kjo dëshmon lidhjen apo pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Radojiçiç-it në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën.

Vitin e kaluar, Radojiçiç kishte arritur t’i arratiset Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak.

Radojiçiç ishte duke u futur në Kosovë nga Serbia kur u ndalua nga organet e rendit dhe në momentin kur polici kufitar ka kontrolluar dokumentet e tij ka rezultuar se ai është person në kërkim.

Në atë moment, ai ka vozitur makinën e tij mbrapa dhe është arratisur për në Serbi.

Pse ishte tërhequr urdhërarresti për arrestimin e Radojeçiç?

Në muajin mars të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës i kishte bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Milan Radoiçiçit, i cili dyshohej për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç dhe Themelorja ia ka aprovuar.

Në aktvendim të Gjykatës, thuhej se “pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj të dyshuarit, konstatohet se kërkesa është e arsyetuar mirë”.

“Nuk ka mundur që i dyshuari të sillet para organeve të drejtësisë, respektivisht në Prokurorinë Speciale, për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, thuhet në aktvendimin e Gjykatë Themelore në Prishtinë.

Çka ndodhi të dielën e 24 shtatorit në Veri?

Në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.

Pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.

Nga gjuajtjet me armë zjarri, katër terroristë u vranë, dy janë arrestuar, dhe katër persona tjerë janë arrestuar për përfshirje.

Lidhur me sulmet terroriste, Policia ka sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan gjatë ditës së hënë.

Sveçla: Gjetëm dokumente të Radojiçiç-it, dëshmojnë pjesëmarrjen e tij në sulmin ndaj policëve

Të fundit

Aktuale