Lajme

Policia posedon një listë me emrat e 58 serbëve që kanë kryer krime të rënda në Kosovë


Ilustrim

Ushtruesi i detyrës së komandantit të Stacionit Policor të Mitrovicës Veriore, Goran Zhivkoviç, të enjten në seancën e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, ka konfirmuar se ekziston një listë e njerëzve të dyshuar për krime të rënda, të cilët janë të nacionalitet serb.

Zhivkoviç, ka potencuar se disa nga të dyshuarit të cilët figurojnë në këto lista kanë qenë pjesëmarrës edhe në bllokimin e pikë kalimeve kufitare, Jarinje e Bërnjakë, gjatë muajit shtator, kur Qeveria e Kosovës pati vendosur reciprocitetin për targa.

“Listat nuk janë sekrete, listat ekzistojnë dhe në njërën listë janë 58 persona të dyshuar për shkelje të rendit kushtetues të Kosovës, në listën tjetër janë 14 persona të akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë, pengim të funksionarëve dhe dy-tri krime të tjera. ”, konfirmoi Zhivkoviç, raporton mediumi serb me seli në Kosovë, Kosovo Online.

Ai më tej ka bërë të ditur, se tashmë Policia e Kosovës ka dërguar kërkesat për intervistim, por se deri më tani askush nuk iu është përgjigjur këtyre thirrjeve.

“Lista përfshin njerëzit që jetojnë në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Policët tanë shpërndajnë vetëm fletëthirrjet, personat që marrin thirrje duhet të paraqiten për intervistim në Prishtinë”, ka thënë Zhivkoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore