Lajme

Policia për zhdukjen e dy vajzave nga Peja: Janë duke u hetuar të gjitha pistat


Policia e Kosovës.

Edhe pse ka kaluar një javë që nga zhdukja e dy vajzave në komunën e Pejës, policia e Kosovës akoma nuk ka arritur që të evidentojë ndonjë gjurmë të tyre.

Këtë për Albanian Post e bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

“Janë duke u hetuar të gjitha pistat, por akoma nuk kemi diçka konkrete. Në momentin që do të kemi zhvillime të reja do të dalim me komunikatë për media”, deklaroi ai.

Më 25 shtator, dy qytetarë kanë njoftuar Policinë e Kosovës se vajzat e tyre nuk janë kthyer më, pas largimit nga shtëpia.

Qyteti i Komunës së Pejës.

Kurse rastin e kishte bërë të ditur policia përmes raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.

“Fsh. Treboviq dhe Fsh. Qyshk, Pejë (NN) 23.09.2022 – 07:00. Dy ankues meshkuj kosovarë kanë informuar se vajzat e tyre kosovare janë larguar nga shtëpitë dhe nuk janë kthyer më”, thuhej në raport.

Të premten edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, përmes një reagimi në rrjetin social ‘Facebook’, kishte kërkuar gjetjen e tyre dhe angazhim me të madh të institucioneve në këtë drejtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore