Lajme

Policia për rastin e 48-vjeçares: Gjatë intervistimit viktima s’kishte shenja dhune


Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës është deklaruar për vrasjen e 48-vjeçares në Llaushë të Skenderajt, duke thënë se janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme, bazuar në procedurat e parapara ligjore.

Nëpërmjet një komunikate për media, Policia ka thënë se për rastin ishte informuar më 1 janar të këtij viti, ku ishte raportuar një dhunë në familje.

Duke shtuar, se palët ishin dërguar në stacionin policor në Skenderaj, megjithatë tek viktima thuhet se nuk ishin vërejtur shenja dhune e as e njëjta s’kishte potencuar se është rrahur nga bashkëshorti.

“Po ashtu hetuesja e dhunës ne familje kishte inkurajuar ankuesen/viktimën që të shkojnë për kontrolle mjekësore por e njëjta nuk kishte pranuar pasi që nuk kishte pasur lëndime apo dhunë fizike”.

Hetuesi “kishte ftuar menjëherë përfaqësuesit e Qendrës për Punë Sociale (QPS) që të paraqiten në stacion, ku prezent gjatë intervistimit ka qenë përfaqësuesi i QPS-së. Po ashtu menjëherë është kontaktuar edhe mbrojtësi i viktimave”.

Protestë ndaj vrasjes së 48 vjeçares në Llaushë të Skenderajt.

“Personi i dyshuar është paraqitur në stacion policor, ndaj të cilit pas intervistimit me urdhër të prokurorit kompetent iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa arma zjarrit e llojit pistoletë me tre fishekë dhe dëshmitë tjera janë konfiskuar në cilësi të provave materiale”, thuhet tutje në komunikatë.

Këtë të premte në mesditë do të protestohet në Skenderaj kundër dhunës dhe vrasjes së grave, pas vrasjes së Lirije Qerimaj nga bashkëshorti në Llaushë të Skenderajt.

Protesta paqësore është organizuar nga OJQ Gratë Intelektuale të Drenicës dhe nis në ora 12:00 nga sheshi “Adem Jashari”, për të vazhduar te Gjykata, ndërsa marshi përfundon para stacionit policor.

“Ne si gra kërkojmë dënim maksimal për dorasin”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas vrasjes së një gruaje në fshatin Llaushë të Skenderaj nga burri i saj, i ka bërë përgjegjëse institucionet e vendit.

“Prandaj përveç dënimit maksimal për vrasësin, urgjentisht duhet të ndërmerren masa disiplinore e penale ndaj të gjithë atyre që nuk mbrojtën jetën e të ndjerës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook të enjten.

Më pesë janar, një grua është vrarë me armë zjarri në fshatin Llaushë të Skenderajt të mërkurën pasdite.

Si pasojë e plagëve, gruaja ka vdekur dhe i dyshuari është arrestuar derisa këtij të fundit i është sekuestruar edhe arma.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore