Kosova

Policia nis hetimet pas grafiteve fyese në shtëpinë e deputetes Adelina Grainca


“Bijat i shesim, votat i qesim”, kjo është përmbajtja e disa grafiteve të shkruara në murin rrethues të oborrit të familjes së deputetes Grainca cila në ditën e zgjedhjes së Vjosa Osmanit, Presidente e Kosovës, e braktisi Partinë Demokratike të Kosovës, pasi vendosi t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje.

Lidhur me këtë rast tashmë Policia e Kosovë ka filluar hetimet.

“Është raportuar se persona të panjohur në disa lokacione kanë shkruar disa grafitë. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Xhaxhai i deputetes ka thënë për mediat në Kosovë se shumë shpejt do të tregojë kush i ka bërë mbishkrimet, ndërsa hodhi dyshimet te Partia Demokartike e Kosovës.

Ushtruesja e detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar nga PDK-ja që ta dënojnë, siç ka thënë, këtë akt të shëmtuar, duke thënë se nëse nuk ndodh një gjë e tillë, atëherë kjo është përgjigja për arsyen e largimit të Graincës nga PDK-ja.

Megjithatë, PDK-ja ka mohuar dyshimet se ajo ka qenë prapa grafiteve në shtëpinë e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Grainca.

“Dhuna politike, gjuha denigruese dhe seksiste nuk kanë vend në diskursin publik. Vet reagimi i LVV-së tregon qartazi se kush qëndron mbrapa këtyre grafiteve. Pyetjet me rëndësi që duhen shtruar është se pse tani pasi disa jave janë bërë këto grafitë. Edhe atë në shtëpinë e gabuar” ka thënë në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.

“Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk e ka ulur vetën në këtë nivel duke e sulmuar dikë në shtëpi e në familje për motive politike. Për këtë arsye ky sulm është i pa pranueshëm për ne. Ne ftojmë Policinë e Kosovës që të hetojnë këtë rast duke ju sugjeruar që intervistimet t’i fillojnë nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi që siç̧ duket kjo parti vetëm pas disa ore i kanë ‘identifikuar’ autorët”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore