Lajme

Policia me aksion kundër kriptovalutave në Prishtinë, sekuestrohen dhjetëra pajisje


Pajisje për prodhimin e kriptovalutave

Të shtunën e tetë janarit, Policia e Kosovës ka mbështetur ekipet e KEDS-it në rrugën “Dëshmorët e Prapashticës”, në Prishtinë ku kanë sekuestruar 39 mjete për prodhimin e kriptovalutave.

Gjatë aksionit policor, 35 prej këtyre pajisjeve ishin në funksion.

Policia e Kosovës po vazhdon implementimin e vendimit kundër prodhimit të kriptovalutave.

Në njoftim të policisë thuhet se kanë njoftuar edhe Doganën e Kosovës lidhur me rastin.

“Marrë parasysh procedurat ligjore lidhur me këtë rast janë njoftuar zyrtarët përgjegjës të Doganës së Kosovës dhe në koordinim me ta do të ndërmerren veprimet e mëtejme”, përfundon njoftimi.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e kriptovalutave me arsyetimin se procesi i prodhimit që quhet “minim”, harxhon shumë energji elektrike, Policia e Kosovës ka konfiskuar deri më tani qindra pajisje në Leposaviq.

Aksioni i policisë u bë i ditur nga vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili – në Facebook – dha detaje për konfisikimin e pajisjeve dhe arrestimin e një personi.

“Në afërsi të fshatit Trebice të komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj pajisjesh dhe u arrestua një person. Gjithë aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente”, ka shkruar Sveçla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore