Lajme

Policia malazeze arreston disa persona nën dyshimin për spiunim për shërbimet ruse  


Ilustrim

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, ka bërë të ditur se autoritetet shtetërore po bëjnë arrestimin më të madh të spiunëve të dyshuar rus në këtë vend.

Sipas tij ky është një nga aksionet më të mëdha të arrestimin në vendet e NATO-s marrë parasysh madhësinë gjeografike të Malit të Zi.

“Dhjetëra persona janë arrestuar në Podgoricë dhe aksioni po vazhdon ende”, ka thënë Krivokapiç.

Në anën tjetër kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, e ka mirëpritur veprimin e Prokurorisë Speciale të Shtetit, duke thënë se “bëhet fjalë për një aksion ndërkombëtar”.

“Aksioni ka për qëllim ruajtjen e interesave kombëtare”, ka thënë Abazoviç.

Bastisjet kanë nisur me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Shtetit, nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit.

“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe me urdhër të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, policia po kontrollon banesat dhe hapësirat e tjera të disa qytetarëve, për shkak të dyshimit të bazuar se janë kryer veprat penale: krijim i organizatës kriminale dhe spiunazh. Deri më tash nuk është arrestuar askush”, ka thënë prokurori special, Vukas Radonjiç.

Sipas burimeve të gazetës malazeze, Vijesti, një nga personat e arrestuar në këtë rast, i cili dyshohet të jetë një punonjës të administratës shtetërore, ka punuar për shërbimin rus për më shumë se një dekadë.

“Dy shtetas malazezë, gjashtë diplomatë rusë dhe disa shtetas rusë janë nën hetim nën dyshimin se punonin për shërbimin inteligjent rus”, mëson “Vijesti” nga disa burime.

“Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Radomir Sekuloviç”, raporton Vijesti duke u thirrur në burime.

I njëjti burim ka treguar për gazetën malazeze se aksioni i sotëm është vetëm fillimi i aktiviteteve për zbulimin e bashkëpunëtorëve të shërbimeve të huaja inteligjente.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore