Lajme

Policia kineze pengon protestat kundër bllokimeve të COVID-it


Në Kinë, policia ka nisur shfaqjen e forcës në të gjithë vendin në përpjekje për të penguar protestat e mëtejshme kundër politikave zero-COVID të qeverisë.

Një valë protestash është përhapur në qytete të shumta, të nxitura nga vdekjen e dhjetë personave nga një zjarr në një ndërtesë në Urumqi në Xinjiang.

Pjesa më e madhe e rajonit ka qenë nën izolim për më shumë se tre muaj dhe njerëzit kanë fajësuar për vdekjet bllokimin.

Sakaq, tubimet janë mbajtur në Pekin, Shanghai, Chengdu dhe qytete të tjera të mëdha kineze të shtunën dhe të dielën, si dhe dhjetëra kampuse universitare, me disa përleshje policore dhe ndalime në Shanghai.

Kërkesa e protestuesve ka qenë t’i jepet fund bllokimeve. Disa grupe kanë dënuar censurën dhe kanë drejtuar thirrje për demokraci dhe fundin e sundimit të Xi Jinping.

Shumica e protestave ishin paqësore. Pati disa përleshje me policinë në Shanghai dhe protestuesit në Wuhan tejkaluan barrierat pandemike.

Por të hënën, autoritetet u shfaqën të vendosura për të siguruar që të mos kishte përsëritje.

Në një stacion qendror të metrosë në Pekin, dhjetëra makina policie rreshtuan rrugët dhe patrulluan blloqet përreth, ndërsa oficerët qëndruan roje në daljet e stacionit dhe ndaluan kalimtarët për t’u marrë në pyetje.

Disa orë pas fillimit të planifikuar të protestës, e cila ishte organizuar nëpërmjet aplikacioneve të koduara të mesazheve, kishte pak pjesëmarrës.

Nga ana tjetër, aktet e mosbindjes civile kanë demonstruar një zhgënjim dhe skepticizëm në rritje me angazhimin e partisë komuniste në pushtet për politikën zero-COVID.

Një seri incidentesh që lidhen me zbatimin e politikës kanë testuar tolerancën e njerëzve. Dhe zjarri i së enjtes së kaluar duket se ka qenë një test i fundit për shumë njerëz.

Politologu Chen Daoyin ka thënë se meqenëse protestat ishin të paorganizuara, të pakoordinuara dhe nuk kishin një zë të unifikuar, nuk përbënin kërcënim serioz për autoritetet.

Madje, brenda partisë mund të shërbejnë për të justifikuar qasjen e ashpër të Xi.

Meqë protestuesit kanë përdorur njoftimin e 11 nëntorit për një lehtësim të pjesshëm të masave si justifikim për thirrjet e tyre, kjo mund t’i lejojë Xi t’u provojë kundërshtarëve se ai kishte të drejtë të këmbëngulë për një qasje të hekurt “zero-COVID”

Xi ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e “sigurisë politike” dhe nevojën e “luftës” kundër sfidave dhe paqëndrueshmërisë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore