Lajme

Policia kanadeze, një dekadë hetim për shkollën rezidenciale në Manitoba


Plot një dekadë i është dashur policisë kanadeze për të hetuar akuzat mbi abuzimin në një ish shkollë rezidenciale për fëmijët autoktonë.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se shkolla e financuar nga qeveria dhe e vendosur në Manitoba ishte një nga dhjetëra institucione të tilla të themeluara për të asimiluar me forcë fëmijët autoktonë.

Për vite me radhë, aktivistët dhe të mbijetuarit kanë pretenduar se në shkollë ka pasur abuzim sistematik.

Ajo u mbyll në vitin 1970.

Të martën e 27 korrikut, policia ka zbuluar se kishte nisur një hetim penal për të në vitin 2011.

Dega e policisë në Manitoba ka dhënë komentin “e rrallë” në lidhje me hetimin në vazhdim pas një investigimi nga një media lokale.

Si pjesë e kërkimit të tyre për viktima të mundshme, policia ka thënë se ata folën me më shumë se 700 njerëz. Dhe se që nga fillimi i hetimit janë marrë gjithsej 75 deklarata të dëshmitarëve dhe viktimave.

Nga ana tjetër, mësohet se deri më sot, nuk është ngritur asnjë akuzë penale, pasi provat janë ende duke u shqyrtuar.

Policia ka deklaruar se është “e domosdoshme” që të respektohet privatësia e atyre viktimave, të dyshuarve dhe dëshmitarëve.

Të drejtuara nga qeveria kanadeze, shkollat ishin pjesë e një politike në përpjekje për të asimiluar fëmijët dhe shkatërruar kulturat dhe gjuhët autoktone.

Mbi 150 mijë fëmijë nga First Nations, Metis dhe Inuit, u morën nga familjet e tyre dhe u vendosën në shkolla rezidenciale mes viteve 1874 dhe 1996.

“BBC” tregon se kjo politikë traumatizoi brezat e fëmijëve autoktonë, të cilët u detyruan të adoptojnë krishterimin, të heqin dorë nga gjuhët e tyre amtare dhe të flasin anglisht ose frëngjisht.

Zbulimi i 215 varreve të pashënuar pranë Shkollës Rezidenciale Indian Kamloops në muajin maj, solli një vëmendje të re në këtë kapitull të errët të historisë kanadeze.

Ndërkohë, në muajt që pasuan, numri i varreve të pashënuara në të gjithë vendin u rrit në më shumë se 1 mijë e 300.

Ndërsa në muajin korrik, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, e quajti politikën e asimilimit “tepër të dëmshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore