Lajme

Policia e Kosovës protestuesve serbë në veri: “Mos bini pre e provokimeve”


Përderisa në tri komunat veriore të Kosovës qytetarët serbë, po vazhdojnë protestën, Policia e Kosovës bashkë me KFOR-in po vazhdojnë angazhimet e tyre për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike.

“Në bashkëpunim me KFOR-in dhe institucionet relevante janë duke vazhduar angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve, sigurimin e lirisë së lëvizjes së lirë si dhe ndërmarrjen e masave policore komfor situatës dhe zhvillimeve në komunat Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ku edhe sot po vazhdojnë protestat”, thuhet në njoftimin për medie të Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës u bën thirrje protestuesve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar, por në mënyrë të qetë.

“Policia fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar, që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, njofton policia.

Që nga orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, qytetarë serbë kanë filluar të mblidhen sërish para objektit të komunës së Zveçanit.

Në ditën e tretë të protestës, këta qytetarë po kërkojnë që kryetari i ri i zgjedhur, shqiptarë të mos hy në objektin e komunës dhe forcat e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës të largohen.

Në anën tjetër, KFOR-i ka krijuar një mbrojtëse me tela me gjemba, për të penguar qytetarët të afrohen drejt objektit të komunës.

Gjatë ditës së djeshme në tri komunat veriore të Kosovës, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok janë mbajtur protesta kryesisht të qeta, prahas atyre të ditës së parë, të hënën.

Serbët kanë deklaruar se do të vazhdojnë protestat deri në përmbushjen e kushteve të tyre.

Grumbuj të qytetarëve ka edhe në afërsi të ndërtesës së Komunës së Zubin-Potokut. Pranë objektit komunal është e vendosur Policia e Kosovës, ndërsa në distancë më të gjerë pjesëtarët e KFOR-it.

Ndryshe, të martën vazhdoi tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve elitare policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it – kryesisht trupa amerikane – janë vendosur para objekteve të komunave në këtë zonë.

Dhjetëra pjesëtarë të KFOR – kryesisht hungarezë dhe italianë – u lënduan gjatë një ndërhyrjeje për t’i shpërndarë protestuesit serbë në Zveçan të hënën. Pasi paqeruajtësit e NATO-s kërkuan nga protestuesit të shpërndahen, ata nuk pranuan dhe hodhën gurë, shok-bomba e koktej molotovi.

Gjithashtu, veturat e ekipeve të gazetarëve kosovarë janë dëmtuar të hënën dhe të martën nga persona të panjohur në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Veturave u janë shpërthyer gomat dhe në to janë vizatuar simbole nacionaliste serbe. Janë dëgjuar edhe këngë shoviniste.

Derisa Serbia lëvizi ushtrinë në afërsi të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten, nën urdhrat e qeverisë, filloi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja atje nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore