Lajme

Policia e Kosovës me aksion në Veri


Pamje nga aksioni i Policisë së Kosovës në Veri

Policia e Kosovës përkatësisht Njësiti Special, të mërkurën pasdite po zhvillon një aksion në pjesën Veriore të Mitrovicës.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Mitrovicën e Veriut, Branislav Radoviç, i cili mes tjerash ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një aksion të njësisë kundër narkotikëve e që po asistohet edhe nga policët e stacionit lokal.

“Policia e Kosovës po ofron ndihmë njësitit për narkotikë dhe për momentin nuk kamë informacione më të detajuara”, ka thënë Radoviç, për mediumin serb me seli në Kosovë, Kossev.

Raportohet se matanë rrugës, jo shumë larg lokacionit ku Policia e Kosovës është duke e zhvilluar aksionin në fjalë, ka filluar grumbullimi i qytetarëve.

Qytetarët e grumbulluar matanë rrugës ku Policia e Kosovës po kryen aksionin në fjalë.

Policia e Kosovës gjatë dy ditëve të fundit ka kryer disa aksione anti-drogë, të cilat kanë rezultuar me konfiskim të një sasie të madhe të lëndëve narkotike.

Kështu në aksionin që ka ndodhur të mërkurën në pjesën jugore të Mitrovicës dhe Fushë Kosovës janë konfiskuar mbi 56 kilogramë substancë narkotike të tipit marihuanë.

Ndryshe dy ditë më parë, Policia e Kosovës pati arritur të shkatërrojë edhe një laborator të drogës në Komunën e Zveçanit.

Aksioni i Policisë së Kosovës, i cili ishte njoftuar nga ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, kishte rezultuar me sekuestrimin e mbi 2 mijë fijeve kanabisi dhe me arrestimin e tre shtetasve serb të Serbisë dhe një shtetas serb i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore