Kosova

Policia e Kosovës konfiskon çaj dobësimi të kontrabanduar në vlerë mbi 40 mijë euro


Ilustrim

Policia e Kosovës ka konfirmuar konfiskimin e një sasie të çajit për dobësim, i cili ishte i kontrabanduar dhe arrin vlerën mbi 44 mijë euro.

Bazuar në njoftimin e autoriteteve, i dyshuari nuk ka poseduar as edhe një dokument përkatës mbi prejardhjen e çajit, derisa i njëjti ka tentuar të kalojë nga Maqedonia e Veriut në Kosovë, veç se kur i ka parë njësitet policore, ka provuar të kthehet mbrapa.

“Me datën 01.06.2023 rreth orës 21:10 njësia e Task Forcës nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare-lindje-Kaçanik, ka identifikuar një automjet me targa vendore i cili ishte duke ardhur nga fshati Tanushë-Republika e Maqedonisë së Veriut në drejtim të fshatit Debëlldeh-RKS. Njësia e lartcekur në rrugën Debëlldeh-Binqë pasi e ka sinjalizuar për ndalje automjetin e dyshuar, personi i dyshuar/drejtuesi i mjetit, ka tentuar që të kthehet mbrapa në drejtimin nga fshati Debëlldeh –Tanushë”, u tha në njoftimin e policisë.

Gjithsesi, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Njësitë policore, pasi kanë ndaluar automjetin e dyshuar të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull me iniciale I. B., gjatë kontrollit kanë gjetur të ngarkuar çaj për dobësim 1584 pako të një firme dhe 50 pako çaj të një firme tjetër, e që në total janë gjetur 1634 (një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e katër) pako, ku vlera e përgjithshme e mallit sipas çmimit të tregut është mbi 44000 euro, për të cilat i dyshuari nuk posedonte asnjë dokument përkatës mbi prejardhjen e tyre. Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa malli dërgohet në terminalin doganor-Dheu i Bardhë”, thuhet tutje në njoftim.”,  u tha aty më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore