Lajme

Policia e Kosovës e gatshme të jetë pjesë e INTERPOL-it


INTERPOL

Policia e Kosovës me kapacitete ekzistuese është e gatshme të jetë pjesë e organizatës më të madhe të sigurisë në botë, INTERPOL.

Madje pjesëtarët e Policisë kanë qenë të gatshëm që të ndihmojnë kolegët e tyre nga shtet e tjera në luftimin e krimit ndërkombëtar qysh moti, thotë, ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

Deputeti i PDK-së thotë se Policia e Kosovës mund të kontribuonte dhe ta ndihmonte këtë mekanizëm në hetimin e shumë rasteve.

“Policia e Kosovës është qysh moti e gatshme e përgatitur të jetë pjesë e INTERPOL-it, dhe mos të harrojmë që nuk është çështja vetëm se do të ketë benifite Kosova nga anëtarësimi në këtë organizatë, mirëpo ka benifite reciproke, meqenëse Policia e Kosovës do të kontribuonte shumë që edhe INTERPOL-i të marrë informacione nga Policia e Kosovës”, tha Qalaj.

Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj

Ai pohon se vendim për anëtarësim Qeveria duhet ta marrë në konsultim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar.

“Unë mendoj që Kosova duhet të bëjë përpjekje vazhdimisht që të bëhet pjesë e institucioneve ndërkombëtare, e sidomos kur të kemi të bëjmë me ato të sigurisë. Mirëpo prapë është një vendim që duhet ta marr Qeveria e Kosovës, në konsultim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtar”, shtoi Qalaj.

Përderisa profesori i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollaku, e sheh si dështim të diplomacisë mosantarësimi në këtë organizatë.

Çollaku thekson se duhet të bëhet më shumë punë në këtë drejtim, që të sigurohen votat e mjaftueshme të shteteve anëtare.

“Mospranimi i Kosovës në INTERPOL në dy rastet e fundit tregojë se strategjia për t’u anëtarësuar në këtë organizatë është më shumë punë e diplomacisë e politikës, sesa e Policisë, që i bie se Kosova ka dështuar në aspektin diplomatik në dy tentimet e para, prandaj ka qenë një vlerësim real që nuk janë parakushtet e mjaftueshme për t’u anëtarësuar, sepse paraprakisht është ditur epilogu i këtij tentimi për anëtarësim”, u shpreh Çollaku për EO.

Duke folur për mundësinë që herën tjetër Kosova të jetë pjesë e kësaj organizate, Çollaku potencon se interesi për t’u anëtarësuar në këtë organizatë është reciprok, teksa shton se luftimi i krimit të organizuar nuk mund të bëhet pa ndihmën e organizatës ndërkombëtare të sigurisë.

“Interes i përgjithshëm i Kosovës është anëtarësimi në INTERPOL. Policia në kuptimin e ngushtë të fjalës nuk përfiton por shteti i Kosovës, sepse do të jetë anëtar i barabartë i një organizate shumë të rëndësishme në bashkërenditjen e aktiviteteve dhe dakordimeve konform normave juridike ndërkombëtare, mbi parandalimin dhe luftimin e kriminalitetin ndërkombëtar”, shtoi ai.

Profesori i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollaku

Me gjithë pengesat e shkaktuara nga fushata e Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, kjo e fundit është bërë anëtare e disa organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatat më të rëndësishme financiare e sportive.

Disa nga ato janë, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Federata Botërore dhe Evropiane të Futbollit, Komiteti Olimpik, Organizata Botërore e Doganave, Marrëveshja për Tregëti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).

Ndërkaq, Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Fushata e Serbisë për ç’ njohje të Pavarësisë së Kosovës

Si sukses i Serbisë është theksuar fakti që Kosova nuk është anëtarësuar në UNESCO dhe INTERPOL.

Madje, Kosova është kritikuar nga pala serbe për lobimin e saj drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Por, Kosova kësaj radhe nuk po aplikon për anëtarësim në INTERPOL për shkak se nuk është vetë e gatshme për ta bërë këtë aplikim, e jo në mirëbesim me palën serbe.

Sipas njohësit të politikës së jashtme – Abrashit, fushata e Serbisë për ç’ njohje është një “non-sens i llojit të vet”, dhe Serbia do të duhej ta ndalonte këtë fushatë për sa kohë vazhdon procesi i dialogut për normalizim të marrëdhënieve në Bruksel – aq më tepër që në të drejtën ndërkombëtare nuk ekziston fare koncepti i “ç’ njohjes”.

Vitin e kaluar, Kosova kishte nënshkruar moratoriumin njëvjeçar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington që t’i ndalte përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore