Kosova

Policia: Dy shqiptarët në Veri u sulmuan nga grupe kriminele, njëri me lëndime serioze


Një nga shqiptarët e sulmuar

Ishin duke qëndruar në fillim të sheshit në Mitrovicën Veriore, kur u sulmuan nga disa persona të maskuar, mesditën e së enjtes.

Dy qytetar shqiptarë u lënduan fizikisht pas një sulmi nga disa serbë, të cilët policia e Kosovës i ka identifikuar si grup kriminal.

“Viktimat janë sulmuar nga një grup kriminelësh të cilët kanë qenë të maskuar dhe të organizuar për sulmin e kryer”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia thotë të ketë intervenuar menjëherë por megjithatë sulmuesit kanë arritur të ikin.

“Personat e dyshuar kanë ikur në drejtime të ndryshme të qytetit të Mitrovicës Veri”.

Si pasojë e sulmeve dy viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor.

“Aktet e tilla kriminale, nuk i shërbejnë sigurisë dhe qetësisë publike, iu shërbejnë vetëm individëve apo grupeve të caktuara kriminale, andaj Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet e saja policore, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve në nivel vendi”, thuhet në njoftimin zyrtarë të Policisë së Kosovës.

13:22 ……………………………………………………..

Dy persona janë sulmuar nga një grup i njerëzve të tjerë në qendër të Mitrovicës së Veriut në mesditën e së enjtes.

Burime të Albanian Post brenda policisë, bëjnë të ditur se sulmi kishte ndodhur në mes të dy të rinjve shqiptarë dhe disa serbëve.

“Policia ka hasur në ta në momentin e përleshjes”.

“Dy shqiptarët është arritur që të tërhiqen nga sulmi, ndërsa sulmuesit nuk dihet se kush janë meqë ata kanë ikur”, thotë burimi brenda Policisë së Kosovës, për Albanian Post.

Megjithatë, organet e rendit janë në kërkim të tyre, meqë kanë arritur t’i identifikojnë.

Personat e sulmuar, janë dërguar në Emergjencën e Spitalit të Mitrovicës së Jugut për trajtim.

“Sapo kanë ardhur dy të rinj me lëndime trupore nga rrahjet, siç duket në pjesën veriore ka ndodhur rasti”, ka thënë për Albanian Post, Luljeta Zhubi, Drejtoreshë e Spotalit të Përgjithshëm në Mitrovicën e Jugut.

“Njëri është me lëndime të lehta dhe është lëshuar në shtëpi për trajtim të mëtejmë, pas ekzaminimit mjekësor. Ndërsa tjetri ka lëndime fillimisht duken që janë më serioze dhe është duke iu nënshtruar ende tretmanëve diagnostike dhe pritet pastaj konfirmimi që edhe mjekët ta trajtojnë rastin konkretisht pastaj”, ka treguar Zhubi.

Lëndimet, siç tregon Drejtoresha e spitalit, të lënduarit i kanë marrë kryesisht në kokë dhe në pjesën e sipërme të trupit.

“Mirë ta kanë bo, pse me dalë në këtë situatë”, polici i thotë qytetarit që u sulmua në Mitrovicën e Veriut

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore