Lajme

Policia duhet ta arrestojë Milan Radojeçiç-in, Prokurori Rasim Maloku për Albanian Post


Prokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Rasim Maloku, ka thënë për Albanian Post se ende ekziston urdhërarresti për Milan Radojeçiç-in, një ditë pasi ky i fundit u shfaq përmes një video-mesazhi nga Leposaviqi.

“Urdhërarresti për Radojeçiç për rastin Brezovica ekziston ende dhe policia duhet ta zbatojë”, tha shkurt Maloku.

Të martën, përmes një video-mesazhi, Milan Radojçiç, i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç, është lajmëruar nga veriu i Kosovës, konkretisht nga Leposaviqi.

“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, thotë Radojçiç.

Më 3 shkurt, Radojçiç kishte arritur t’i arratiset Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak.

Radojiçiç ishte duke u futur në Kosovë nga Serbia kur u ndalua nga organet e rendit dhe në momentin kur polici kufitar ka kontrolluar dokumentet e tij ka rezultuar se ai është person në kërkim.

Në atë moment, ai ka vozitur makinën e tij mbrapa dhe është arratisur për në Serbi.

“Po ka lidhje drejtpërdrejt me rastin Brezovica”, pati konfirmuar prokurori Rasim Maloku për AP, duke shpjeguar mëtej rastin.

Pse ishte tërhequr urdhërarresti për arrestimin e Radojeçiç?

Në muajin mars të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës i kishte bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Milan Radoiçiçit, i cili dyshohej për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç dhe Themelorja ia ka aprovuar.

Në aktvendim të Gjykatës, thuhej se “pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj të dyshuarit, konstatohet se kërkesa është e arsyetuar mirë”.

“Nuk ka mundur që i dyshuari të sillet para organeve të drejtësisë, respektivisht në Prokurorinë Speciale, për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, thuhet në aktvendimin e Gjykatë Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq më 23 nëntor të vitit të 2018, Policia e Kosovës zhvilloi një operacion të kërkimit në veri të vendit me qëllim të arrestimit të Milan Radoiçiç i cili nuk u gjet në vendqëndrimin e tij ndërsa gjatë këtij operacioni u arrestuan katër persona.

Më tetë dhjetor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë vënë sanksione edhe ndaj disa serbëve të Kosovës.

Serbi nga Kosova, Zvonko Veselinoviç bashkë me të vëllain e 10 persona të tjerë kanë hyrë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi që janë të dyshuar për kryerjen e disa veprave që bien ndesh me ligjin e që kanë të bëjnë me krimin e organizuar e korrupsionin.

Emri i tij është përmendur shpesh kur bëhej fjalë për “të fortit” e pjesës Veriore të Mitrovicës, por së fundi Departamenti Amerikan i Shteteve të Bashkuara doli me një njoftim se këtyre personave u ka ndaluar hyrjen në SHBA.

Përveç Zvonko Veselinoviç, DASH ka njoftuar se ndalesa për të hyrë në SHBA u është vënë edhe Zharko Veselinoviç, të vëllait, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Vuçiç për Radojeçiç-in: A është në Kosovë apo jo, kjo është çështje e tij private

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i pyetur nga gazetarët për video-mesazhin e Milan Radojiçiçit nga Leposaviqi të martën, tha se beson se ka të drejtë të qëndrojë apo të jetojë ku të dojë.

“E ku duhet të jetë Radojiçiç, kush është nga Kosova? Apo dëshironi që ne të urdhërojmë që njerëzit të tërhiqen nga veriu i Kosovës në pjesën qendrore të Serbisë? Ku është Radojiçiç, në Kosovë apo jo, është çështje e tij private. Nuk ka lidhje me shtetin dhe nuk ka pasur asnjëherë”, tha Vuçiç.

Ai kundërshtoi faktin që disa media e quajnë Radojiçiç-in një biznesmen kontrovers.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore