Lajme

Policia alarmon për sulm të mundshëm mbi Kongresin amerikan


Policia amerikane e Capitol-it ka paralajmëruar një sulm të mundshëm nga një grup i armatosur, i cili ka për qëllim hyrjen në Kongres dhe bastisjen e tij.

Siguria në ndërtesën ikonë të demokracisë amerikane është shtuar në përgjigje të një sulmi potencial që mund të ndodhë të enjten.

Sipas një deklarate për shtyp të lëshuar, “ka kërcënime nga një grup i armatosur mbi hyrjen me forcë në ndërtesë”.

Kjo ngjarje ka çuar edhe në shtyrjen e mbledhjes së radhës në Dhomëm e përfaqësuesve. Senati nga ana tjetër, edhe pse ushtron funksionin në Capitol gjithashtu, planifikon të vazhdojë punimet sipas planifikimit.

Kjo, për shkak të rëndësisë që merr paketa e ndihmës 1.9 trilionë dollarëshe, e presidentit Joe Biden.

Sipas të gjitha gjasave, grupimi që ka bërë kërcënimin është ai konspiracionist, QAnon. Ky grup beson se pas politikave globale, veçanërisht atyre amerikane, fshihen emra të tjerë që kontrollojnë gjithçka ndodh.

Policia e Washington-it ka konfirmuar se po punon me ekipin e posaçëm në Capitol për të garantuar sigurinë. “Për shkak të natyrës tepër delikate të ngjarjeve, nuk mund të bëjmë me dije asnjë detaj mbi këtë çështje momentalisht”, shkruhet në deklaratën e policisë.

Më 6 janar 2021, një sulm i paprecedent u zhvillua në SHBA ndaj ndërtesës së Capitol-it. Ngjarja mori jetë pas protestave të organizuara nga ish-presidenti, Donald Trump, gjatë certifikimit të zgjedhjeve në Senat dhe Kongres.

Pesë persona mbetën të vdekur gjatë bastisjes së Capitol-it. Mbi 300 protestues të dhunshëm janë arrestuar deri sot për akuza të ndryshme.

Për shkak të kësaj ngjarje, Trump-i u shkarkua nga detyra për herë të dytë nga Kongresi. Senati gjithsesi, nuk e lejoi shkarkimin përfundimtar të tij.

Thuajse dy muaj pas ngjarjes që u vu në vëmendje të gjithë botës, sytë rikthehen sërish në SHBA për një rrezik tjetër të ngjashëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore