Shqipëria

Polemika e Abdixhikut ndaj Presidentit Begaj, simptomë e një politike të intoksikuar


Një anomali protokollare, a (mos)dëshirë subkonshi, mundet të kthehet fare mirë edhe në precedent, e ndoshta të vijojë si e tillë.

“Incidenti” i fundit sa i përket mungesës së takimit mes presidentit të sapo zgjedhur shqiptar, Bajram Begaj dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është një rast tipik i politikës së intoksikuar, e cila vepron në Shqipëri dhe Kosovë.

Sa e sa raste janë parë, kur figura të fuqishme politike nga të dyja vendet, kanë ashpërsuar tonet karshi kolegëve të përtej kufirit fizik, por jo shpirtëror?

Kjo e dyta madje, ndoshta edhe më e unifikuar seç duhet…

Politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës, e kanë thuajse të kanunizuar në brendinë e tyre nevojën për bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Është e vërtetë se kahet politike ndryshojnë, se pikëpamjet po ashtu, por ato duhet të mbesin brenda kornizave të politikave brenda-shtetërore.

Kur fjala bëhet më pas për politika ndërshtetërore, zëri nuk mundet të jetë i ndryshëm, përpos atij të përbashkuar.

Mirëpo kohët e fundit, një fenomen edhe më i rrallë po vihet re në Shqipëri e Kosovë.

Pjesë e intoksikimit të retorikave të tilla, po bëhen edhe shtetarët, të cilët në bazë të kushtetutës janë figura që përfaqësojnë unitetin kombëtar dhe nëse komb ka vetëm një, atëherë si mund të dilet përtej kësaj kornize?

Incidente ka pasur edhe kur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, erdhi në Kuvendin e Shqipërisë.

“Leksioni” i saj për Qeverinë, ishte tërësisht i pakuptimtë, kur kuadri i vizitës mbetej ai simbolik e protokollar.

Osmani gjithsesi, vjen nga një sfond politik dhe si e tillë, prej kohësh ka qenë e intoksikuar me atë gjuhë e retorikë.

Rasti i fundit i Begajt ama, e vërteton edhe një herë, se në Shqipëri e Kosovë, zor se del dot jashtë këtij regjimi dhe “incidenti” me Abdixhikun, veçse ja hapi oreksin kureshtjes se si diçka e tillë ndodhi.

Përse nuk pati takim? A qe vërtetë një “kapriço” protokollare? A ka diçka edhe më të thellë nga sa dimë ne? Apo duhet të konsiderohet si normë fakti se kur dikush merr detyrë shtetërore, doemos e mbart edhe anën politike, dashje pa dashje?

Jemi mësuar ndryshe për shumë vite. Roli insitucional përjetohet më shumë si një benefit, si një pushtet personal, pa rregulla e detyrime institucionale, apo nevojën e ruajtjes së ekuilibrit mes palëve.

Duke u kthyer sërish tek polemika e Abdixhikut ndaj Begajt, e parë nga jashtë nuk ka asgjë të parregullt, ofenduese apo të pabazuar në sjelljen e Presidentit.

Së fundmi edhe kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, Begaj e takoi – jo në selinë e partisë që drejton, por në një mjedis publik. Këmbëngulja e Abdixhikut duke i shtuar këtë rast, ngjan më tepër me një kapriço, sesa me një detyrim nga ana e presidentit shqiptar.

Megjithatë, pavarësisht se faji i kujt qe (ende për t’u zbuluar) apo pse situata rrodhi e tillë, shija që la pas nuk qe e mire…aspak.

Nëse mendonim se të paktën në lidhje me Presidencën, pas zgjedhjes së Begajt në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, do të qëndronim larg zullumeve intoksikuese, fillimi i tillë nuk duket.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore