Lajme

Podolyak: Është Ushtria grupi ynë negociator tani


Mykhailo Podolyak, këshilltari i lartë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka sqaruar një herë e mirë se negociata me Rusinë në kushtet e tanishme nuk ka dhe se grupi negociator ukrainas, është Ushtria e vendit.

Forcat e armatosura të Kievit, prej javësh kanë nisur një kundërofensivë në lindje, duke filluar nga rajoni i Kharkivit, për të rimarrë territorin e humbur ndaj forcave ruse.

Deri tani, rreth 6 mijë kilometra katrorë janë rifituar. Por, ambicia ukrainase, shkon përtej kësaj.

“Do të rikthehemi edhe në Krime”, ka thënë Podolyak gjatë një interviste për median italiane “Corriere”, duke theksuar se gjithçka ata kanë ndërmarrë si aksion, ka të bëjë me dashurinë për liri dhe shpirtin qëndrestrar të popullit.

Duke komentuar mbi ngjarjet e fundit, ai ka vlerësuar qasjen e Italisë në këtë luftë, duke u pozicionuar qartë pro Ukrainës dhe kundër Rusisë, por gjithashtu ka theksuar se ka elementë filorusë në Itali, të cilët po kërkojnë përfitime politike brenda Apenineve, duke shfrytëzuar lidhjet me Rusinë.

Këtu sipas tij, bëhet fjalë si për forca të ekstremit të djathtë, ashtu edhe për ato të ekstremit të majtë.

Për kryeministrin italian në detyrë ndërkohë, Mario Draghi, Podolyak ka shprehur simpati, duke theksuar edhe pozicionin tërësisht pro Ukrainës, që premieri ka mbajtur.

Duke u kthyer sërish tek aspekti i negociatave, ai nënvizoi se ato “vdiqën” në Stamboll dhe gjetjen në BUcha dhe Irpin, ishin të tilla që nuk e lejonin më Kievin të vijonte bisedimet.

Për këtë arsye, vetëm Ushtria, mund të flasë në emër të Ukrainës në frontin e luftës kundrejt Moskës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore