Lajme

“Po rrezikohet paqja në Ballkan” – reagimi i Presidencës së Kosovës për armatimin e Serbisë me raketa


Presidenca e Kosoves

Shefi i stafit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Blerim Vela ka reaguar pasi Serbia është duke vazhduar me armatosjen e saj nga Rusia, kësaj radhe duke blerë edhe raketa nga Moska.

Sipas tij, kjo është duke paraqitur rrezikshmëri për Ballkanin në tërësi.

“Blerja e vazhdueshme e Vuçiçit e armëve ruse rrezikon më tej paqen në rajonin tonë”, ka shkruar Vela në Twitter.

Ai shton se, “si e tillë, blerjet ushtarake të Serbisë duhet të sanksionohen”.

Ndërkaq këtë kjo periudhës sipas Velës ka ngjashmëri me periudhën e Luftës së Ftohtë.

“Ashtu si Bjellorusia, Serbia është mjeti i Rusisë për të rivendosur sferat e ndikimit kundër 🇺🇸 🇪🇺 dhe

@NATO  që i ngjan periudhës së Luftës së Ftohtë”.

Ndryshe, Serbia do të porosisë blerjen më të madhe që ka bërë ndonjëherë prejse është shpërbërë Jugosllavia me pajisje ushtarake dhe municione për ushtrinë serbe në vlerë prej 1.25 miliardë euro nga fabrika e industrisë ushtarake ka raportuar media serbe Novosti.

Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë së Serbisë ka përgatitur disa lista me armë dhe pajisje të nevojshme për Forcat e Armatosura, të cilat i janë paraqitur kryesisë shtetërore në një mbledhje të fundit në Nish, ku për vizitë ishte edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Automjetet e reja luftarake që pritet të marrin janë armë këmbësorie, mbrojtje optike dhe balistike, armë raketore të modernizuara, por edhe të zhvilluara së fundi.

Pritet gjithashtu që ushtria të forcohet nga një sistem raketor i jashtëzakonshëm (vetëlëvizës) “Tamnava” me kalibër 122 milimetra dhe pas disa dekadash flota lumore do të marrë edhe varka të shpejta luftarake.

Në atë paketë me shumë gjasa do të jenë edhe dronët, duke pasur parasysh se tashmë është paralajmëruar prodhimi i mjetit ajror vendas pa pilot “Pegasus”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore