Lajme

“Po presim konfirmimin final nga COVAX për marrjen e dozave të para”


Ministria e Shëndetësisë së Kosovës më anë të një komunikate për media ka bërë të ditur se ka kryer të gjitha kriteret e kërkuara për sigurimin e vaksinave, dhe se janë duke pritur konfirmimin final nga COVAX për arritjen e dozave të vaksinave kundër COVID-19.

“MSh i siguron qytetarët se ky angazhim do të jetë maksimal, përtej çdo interesi, në përmbushje të obligimit për të siguruar shëndetin e qytetarëve, deri në pranimin e dozave të para që besojmë se do të ndodh së shpejti dhe në përmbylljen e programit të vaksinimit kundër COVID-19”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Sipas njoftimit, MSH-ja ka thënë se që nga muaji korrik 2020, ka filluar aktivitetet për të siguruar qasje sa më të shpejtë në sigurimin e vaksinës, në disa drejtime, duke përfshirë aplikimin përmes mekanizimit global COVAX në njërin drejtim dhe kontaktimin me shtete partnere dhe drejtpërdrejt me kompani prodhuese të vaksinave kundër COVID-19.

Më tej thuhet se është përgatitur e miratuar edhe plani shtetëror i vaksinimit kundër COVID-19, duke shtuar se janë siguruar edhe të gjitha procedurat e tjera që kanë të bëjnë me importin e vaksinave dhe përmbushjen e të gjitha kushteve nga Kosova për t’i marrë vaksinat nga ky mekanizëm.

“Me datë 3 shkurt 2021, mekanizmi COVAX ka publikuar në ueb faqen e saj edhe itinerarin e shpërndarjes së vaksinave për vendet përfituese, ku Kosova, sipas njoftimit/ itinerarit fiton 100.800 doza të vaksinës Astra Zeneca, në fund të muajit shkurt (përkatësisht në kuartalin e parë Q1 të vitit 2021 (janar-mars 2021)”.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë gjithë kohës, sidomos para zgjedhjeve të 14 shkurtit, kanë thënë se vaksinat e para anti-COVID në Kosovë do të vijnë gjatë muajit shkurt.

Ndryshe, Kosova është vendi i vetëm në rajon që ende nuk ka siguruar asnjë vaksinë anti-COVID.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore