Lajme

Po ndodhi diçka ju jeni fajtorët, BE qorton Kurtin e Vuçiç-in


Albin Kurti dhe Aleksander Vucic

Zyra për media e Bashkimit Evropian ka lëshuar një komunikatë ku qorton retorikën nxitëse të liderëve politik në Kosovë e Serbi.

“Rritja e retorikës nxitës kohëve të fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë, në veçanti deklaratat për luftën dhe konfliktet në Ballkanin Perëndimor janë shqetësim i madh”, thuhet në komunikatë.

E përpiluar në formë të një leksioni, komunikata vazhdon me paralajmërim për të dyja palët.

“Liderët e të dyja anëve do të mbahen përgjegjës për çfarëdo eskalimi që çon në rritje të tensioneve dhe dhunë potenciale në rajon”.

Kërkesa e BE-së është që “të dyja palët menjëherë t’i japin fund armiqësive të ndërsjella dhe deklaratave të rrezikshme dhe të veprojnë me përgjegjësi”.

Çfarë kanë për ta thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, BE i siguron se do të mund ta bëjnë në Bruksel.

“Të gjitha çështjet e hapura do të adresohen përmes dialogut që ndërmjetësohet nga BE për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Pritjet e BE-së janë që të dy liderët, “kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, t’i diskutojnë këto tema sfiduese në takimin e ardhshëm me përfaqësuesin e lartë në dialog dhe përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme, Josep Borell, me 18 gusht”, thuhet në komunikatë.

“Arritja e një marrëveshje ligjërisht të pranueshme në normalizimin e marrëdhënieve në kontekstin e dialogut kërkon një klimë që i kontribuon rikthimit të besimit, pajtimit dhe raporte të mira, ku marrëveshjet e kaluara respektohen dhe implementohen krejtësisht, dhe ku veprimet dhe deklarimet që s’janë në pajtueshmëri me interesin e përgjithshëm strategjik nuk kanë vend”.

“BE, ndërmjet misionit të vet civil EULEX, qëndron në koordinim të afërt me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundon komunikata.

Foto nga Albanian Post, Veri: Barrikadimi i serbeve heren e pare kur Kosova filloi zbatimin e reciprocitetit per targat

Ditëve të fundit, më saktë nga 31 korriku, kur Kosova provoi të zbatojë dy vendime të saja për reciprocitet me Serbinë – për targat dhe hyrje/daljet me dokument shtesë – ka pasur retorikë të ashpër nga të dyja anët.

Një retorikë e tillë ka ekzistuar edhe në të kaluarën, por e dominuar pothuajse krejtësisht nga ana serbe.

Kohë të fundit ka qenë edhe kryeministri Kurti që në vazhdimësi, edhe për media të huaja, ka pohuar se ekziston mundësia për një konflikt të armatosur në Veri.

Gjithsesi, për t’iu shmangur këtij konflikti të paramenduar, Kosova pranoi kërkesën e ndërkombëtarëve që t’i shtyjë vendimet për hir të qetësimit të situatës deri me 1 shtator.

Në ndërkohë, pas katër ditësh, pritet takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel për të parë modalitetet e një marrëveshje të paktën për reciprocitetin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore