Lajme

“Po luftojmë për kulturën ukrainase”


“Ideja e Rusisë është të eliminojë Ukrainën dhe të eliminojë kulturën ukrainase. Nëse nuk ka kulturë, Ukraina nuk ekziston”.

Pikërisht kjo bindje e ka shtyrë Pavlo Makov, artistin ukrainas në Bienalen e 59-të të Venecias, të shkonte në Itali për mbajtur ekspozitën e tij.

Bashkë me ekipin, në të cilin përfshihet edhe kuratorja Maria Lanko, ai ishte i vendosur të tregonte se kultura ukrainase ekziston dhe është e pranishme aty.

Makov ka ravijëzuar se po luftohet për kulturën, “mënyrën e të parit të botës”.

Vepra e tij mban emrin “Shatërvani i rraskapitjes”. Është një piramidë me 78 hinka bronzi të vendosura në nivele, nëpër të cilat rrjedh uji.

Ideja origjinale vjen nga viti 1995, kur, për shkak të përmbytjeve të rënda, qyteti i Kharkiv-iy humbi furnizimin me ujë për disa javë.

Lanko, kur nisi pushtimi rus, mori makinën e saj bashkë me hinkat prej bronzi.

Gjashtë ditë më vonë, arriti në kufi.

Në Milano, gjeti një fabrikues që mund të rikrijonte pjesët e veprës së artit që nuk kishte mundur t’i merrte me vete.

Kurse Makov dhe familja e tij, fillimisht kishin hezituar të largoheshin nga Kharkiv-i.

Kjo paçka periudhës së tmerrshme në muajin shkurt kur “jeta ishte si një lavjerrës që lëkundej nga njëri drejtim në tjetrin”.

Pas një jave fjetjeje në një strehë bombash nën qendrën e arteve të Universitetit të Kharkiv-it, u largua bashkë me familjen.

Pasi e siguroi nënën e tij në Vjenë, u nis për në Venecia.

“Ndjeva se nuk jam aq shumë artist, apo individ, aq sa qytetar i Ukrainës. Ndjeva se Ukraina duhet të përfaqësohet”, ka treguar ai.

Nga ana tjetër, artistja Yevgenia Belorusets, i kaloi 40 ditët e para të luftës duke fjetur në një korridor në shtëpinë e saj në Kiev, sa më larg që të ishte e mundur nga çdo thyerje e mundshme xhami.

Bashkë me “kompjuterin, një telefon të karikuar, një pasaportë dhe dokumente pranë meje”.

Ditari i saj i luftës, i shoqëruar me fotografitë e saj të thjeshta, do të shfaqet poashtu në një ekspozitë të Bienales së Venecias.

Vendi i shfaqjes, Scuola Grande della Misericordia spektakolare, është zbukuruar me pankarta blu dhe të verdha të skalitura me fjalët “Ne po mbrojmë lirinë tonë”, me dorëshkrimin e presidentit Volodymyr Zelenskiy.

Sakaq, ekspozita finalizohet nga artisti tjetër Victor Pinchuk.

Rusët, përkundrazi, mungojnë dukshëm.

Pavioni i tyre kombëtar në një nga mjediset kryesore të Bienales, Giardini, qëndron bosh pasi ekipi ka dhënë dorëheqjen.

Përveç ditarit të Belorusets, “Kjo është Ukraina”, përfshihen edhe pikturat e mëdha të Lesia Khomenkos.

Piktura të njerëzve të zakonshëm, të transformuar nga jeta e tyre e zakonshme në ushtarë.

Kurse instalimet e Nikita Kadan-it përdorin fragmente metali të përdredhur e të rrënuar që i ka grumbulluar si nga konflikti në Donbas në vitin 2014, ashtu edhe nga rrugët në luftën aktuale.

“Fronti kulturor është gjithashtu një front”, ka theksuar Björn Geldhof, drejtori i Qendrës së Artit Pinchuk në Kiev.

“Ka ushtarë që mbrojnë lirinë tonë çdo ditë. Ne nuk jemi të gjithë ushtarë, por të gjithë kemi një detyrë dhe një mision”, ka vijuar ai.

 

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore