“Po”, ilaçeve nga Serbia

Ndryshe nga Qeveria e Kosovës, e cila ka deklaruar se për hyrjen e produkteve nga Serbia ka vendosur masa sigurie dhe qarkullim të kufizuar, Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se ekziston një procedurë tjetër që lejon hyrjen e medikamenteve nga Serbia në Kosovë, por ky proces nuk parashikon kufizime.
SHFLETO

Foto: Albanian Post

 

Altina Marmullaku
27.09.2024 17:17
Loading Icons...

Përkundër se Qeveria e Kosovës pati njoftuar se ka marrë “masa të sigurisë për qarkullim të kufizuar dhe kontrolle të shtuara” dhe këto masa nuk i largon edhe nëse rrezikohet anëtarësimi në CEFTA e pjesëmarrja në Procesin e Berlinit, nga Ministria e Shëndetësisë kanë njoftuar për Albanian Post se kjo ndalesë është e pavlefshme për medikamente.

Kjo është edhe arsyeja që në vetëm dy vjetët e fundit në Kosovë kanë ardhur nga Serbia plotë 17 lloje të ilaçeve në sasi të mëdha me vlerë prej 8 milionë eurove.

“Referuar plotësim urdhëresës nga Dogana e Kosovës me datë 14 qershor 2023, në të cilën theksohet se lejohet hyrja e produkteve medicinale të prodhuara edhe në Serbi”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Madje, aminin zyrtar për futjen e këtyre barërave nga Serbia e jep saktësisht Qeveria e Kosovës, përmes aprovimit nga Ministria e Shëndetësisë.

“Para se te lejohet hyrja, duhet të merret aprovim nga Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në përgjigje nga Divizioni për Komunikim me Publikun në këtë ministri.

Në përgjigje sqarohet shtesë se procesi i aprovimit për hyrjen e drogave shëruese kryhet në bashkëpunim me agjencionin qeveritar për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) dhe për barnat nuk zbatohet kufizimi i qarkullimit.

“MSh në momentin e konstatimit se këto produkte janë produkte medicinale, duke i bashkëngjitur edhe dokumentacionin nga Agjencioni për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), lejon të hynë në Kosovë produktet medicinale edhe nga Serbia”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Medikamentet e importuar nga Serbia

Albanian Post pati pranuar edhe me 13 shtator një prëgjigje nga vetë zyra e kryeministrit ku thuhej se qeveria asnjëherë s’ka marrë vendim për ndalim total të importeve.

Megjithatë, sipas tyre ka vendim që përcakton masa të sigurisë.

Pas trajtimit të kërkesës suaj për qasje në dokumente publike, ju njoftojmë se Qeveria nuk ka mbajtur mbledhje me 15 qershor 2023. Gjithashtu ju njoftojmë se nuk ka Vendim të Qeverisë për ndalimin e importit të produkteve të Serbisë”, thuhet në përgjigje, duke shtuar se “si masa të sigurisë ne kemi marr vendimi për qarkullim të kufizuar dhe kontrolle të shtuara deri në një vendim tjetër”.

Albanian Post më pas ka kërkuar dokumentin e protokolluar me vendimin për këtë masë, por edhe pas dy javësh akoma s’është kthyer përgjigja prapa.

Kosova në vitin 2023 nga Serbia ka importuar tetë ilaçe të cilat kapin vlerën prej afër 3 milionë eurosh ndërsa në vitin 2024 deri më 29 gusht, Kosova ka importuar nëntë medikamente, vlera e të cilave gjithsej është mbi 5 milionë euro.

Që do të thotë për dy vjet Kosova importoi afër 8 milionë euro barna nga Serbia.

Sipas të dhënave që ia ka dërguar Dogana e Kosovës Albanian Post-it, ilaçet të cilat janë siguruar nga Serbia gjatë vitit 2023 janë, “vaksinat për ilaç njerëzor, vaksinat për ilaç veterinar, medikamente të dozuar për shitje me pakicë që përmbajnë penicilina dhe derivatet prej tyre, me një strukturë acidi penicillanik apo streptomicina apo derivatet prej tyre”.

Albanian Post qysh më 15 qershor të vitit 2023 kishte raportuar se vendimi për bllokimin e mallrave serbe nga Qeveria e Kosovës nuk është bërë i formës së prerë asnjëherë.

Burime të Albanian Post nga Qeveria e Kosovës, asokohe kishin thënë se vendimi u kumtua gojarisht, pas lajmit se forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë brenda territorit të Kosovës, por kur erdhi koha që të shkruhej vendimi, të protokollohej, të publikohej në faqen zyrtare të qeverisë dhe t’i dorëzohej Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk u procedua tutje.