Shqipëria

Plagosi nënë e bir në Durrës, arrestohet autori


Policia e Shtetit ka njoftuar arrestimin e autorit të ngjarjes në Durrës, ku mbetën të plagosur me armë zjarri nënë e bir.

“Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me DVP Elbasan, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit E.J, 33 vjeç, banues në Peqin. Janë shpallur në kërkim edhe dy bashkëpunëtorët e autorit të ngjarjes, të cilët u përfshinë në konflikt”.

Mbrëmjen e 23 shkurtit, në Durrës, ka ndodhur një konflikt i çastit për motive të dobëta (për vende parkimi), fillimisht me sende të forta, midis shtetasit O.Ç dhe Z.J.

Si pasojë e goditjeve u lëndua shtetasi Z.J, i cili u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Më pas konflikti u përshkallëzua me përdorimin e armës së zjarrit dhe si pasojë mbetën të plagosur nënë e bir, shtetasit F.Ç, 23 vjeç dhe shtetasja V.Ç, 51 vjeçe. Ato ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të hetimeve është bërë shpallja në kërkim e shtetasve A.J, 34 vjeç dhe O.N, 28 vjeç, pasi rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetasin E.J, kanë konsumuar veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”. U procedua penalisht edhe shtetasi O.Ç, (vëllai i shtetasit F.Ç), për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore