Sport

Pirlo flet përpara ndeshjes me Napoli-n


Andrea Pirlo ka folur në konferencën përpara ndeshjes me Napoli-n që do të luhet ditën e mërkurë në Torino.

Tekniku Pirlo ka vlerësuar kundërshtarin dhe ndeshjen, që ka një peshë të madhe në renditjen e dy ekipeve.

“Do jetë një ndeshje e rëndësishme për renditjen. Napoli po përjeton një moment pozitiv. Ne duam të luajmë ndeshjen dhe të përpiqemi të marrim pikë. Unë pres një ndeshje të hapur dhe shpresoj se do të jetë një ndeshje e madhe”, tha Pirlo.

Përsa i përketë formacionit, Pirlo e ka vendosur që të fillojë me Wojciech Szczesny-n dhe gjithashtu ka bërë një përmbledhje të situatës së përgjithshme të grupit.

“Konfirmoj Szczesny-n sepse pas një performance të keqe ka gjithmonë një dëshirë për të bërë mirë”, tha tekniku.

“Paulo është mirë, është stërvitur me grupin dhe ka filluar të godasë përsëri topin”.

“Unë gjithashtu bisedova dje me Kulusevski-n, e sigurova sepse ndodh të gabosh. Duhet të ngresh kokën, të gjithë kanë besim tek ai”.

“Morata ka disa ndeshje që nuk shënon por ne nuk jemi të shqetësuar, ai është i rëndësishëm për ne edhe në zhvillimin e lojës”, vijoi Pirlo.

Pirlo është pyetur edhe për takimin midis, Presidentit të Juventus-it, Andrea Agnelli-t dhe ish-teknikut bardhezi, Massimiliano Allegri-t.

“Jo, unë kam kontakte të përditshme me presidentin, ne gjithmonë i themi njëri-tjetrit të gjitha gjërat që ndodhin”, shtoi Pirlo.

“Unë kam qenë i vetëdijshëm për këtë takim dhe besimin e tij, pastaj është normale që më takon mua të provoj se mund të jem trajner i kësaj skuadre edhe vitin e ardhshëm”.

Juventus-i do të luajë ndeshjen e prapmbetur kundër Napoli-t të mërkurën në “Allianz Stadium” dhe nga shumë kush është parë si ndeshja që vendos fatet e Pirlo-s në krye të Juventus-it. Nëse Juventus-i humb ndeshjen, besohet se Pirlo do të largohet nga stoli i Zonjës së Vjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore