Lajme

Pirateria në Kosovë vijon të mbetet e pandëshkuar


Trendi i viteve të fundit ka qenë shitja e IPTV-ve.

Shitësit e këtyre pakove me kanale të kabllorëve të tjerë, po i nxjerr në fitim thuajse të qind për qind.

Mirëpo, Ardiana Thaçi-Mehmeti në emisionin “Alibi” dhe “Kiks Kosova”, të cilët transmetohen në Kiks Kosova, ka shpalosur veprimtarinë ilegale të këtyre personave.

Sesi po shfrytëzohen të rinjtë e vendit, duke punuar në këto pseudo-kompani pa ndonjë kontratë punë.

Do të thotë, pa trust dhe pa ndonjë sigurim në punë.

Çfarë shërbime ofrojnë këto biznese?

Në emisionin “Kiks Kosova” është transmetuar një bisedë e një qytetari/e, e cila negocion për çmimin dhe ofertat që i ofron “Zana TV”, një shitës ilegal i produkteve të kabllorëve kosovarë, si dhe ndërkombëtarë.

Përveç kësaj, shitësi ofron 24 orë test të produktit para se klienti të marrë vendimin për blerje.

Pirateria, një problem ndërkombëtar

Nga Komisioni i Pavarur i Mediave kanë bërë të ditur se problemi me vjedhjen e këtyre shërbimeve, si dhe shitja e tyre është problem ndërkombëtar, por me bashkëpunimin mes institucioneve, si ATK dhe Policinë e Kosovës me departamentet e saj për krime ekonomike dhe kibernetike, mund t’ua ndalin hovin këtyre të ashtuquajtur piratë.

Gjatë vitit 2021 janë raportuar 13 raste të piraterisë kabllore, ku edhe janë marrë masat ligjore ndaj tyre.

“Policia është duke i hetuar ato raste dhe ka pasur raste kur ka intervistuar persona lidhur me piraterinë, të cilët janë paraqitur nga operatorët e shpërndarjes”.

Fitimi i shumëfishtë, duke i ikur edhe tatimit

Me këto veprime ilegale, një shitës i këtyre shërbimeve në shumicën e rasteve nuk regjistron ndonjë biznes dhe, në këtë cilësi, i ikin edhe tatimit duke shtuar faktin se punëtorët nuk regjistrohen si të tillë.

Këto pseudo-biznese janë duke punuar me punëtorë fantazma në sy të shtetit.

Shumica e punëtorëve janë studentë, të cilëve u duhet një e ardhur financiare për të ndjekur studimet.

Prandaj, punëtorët nuk janë në dijeni për rrezikshmërinë dhe ilegalitetin e punës që e bëjnë.

“Kiks Kosova” e ka vërtetuar se si shkon një proces punësimi në njërën nga këto pseudo-biznese.

Në bisedë të xhiruar, përgjegjësi i thotë konkurrentit që “Unë jam i interesuar për një punëtor, një që mundem m’u mbështetë në të”.

Realiteti i krijuar i piratëve

Kur “Kiks Kosova” provoi që të ballafaqohet me përgjegjësin e call center-it, që po shet kanale televizive që nuk i takojnë atij, ky i fundit tha që ai nuk i shet në Kosovë dhe nuk po shkel ligjin.

“Në Kosovë, unë nuk i lëshoj këto”, thotë përgjegjësi.

Por, në fakt, përgjegjësi për këtë e dinte shumë mirë që “produktet” e tij që po i shiste, ishin prodhime vendore të kabllorëve kosovarë si “ArtMotion”, “Kujtesa”, “Ipko”, si dhe shumë të tjerë.

Por ai e thekson se ky nuk i vjedh, thjesht i blen nga “arabi”, i cili është një ndërmjetësues.

“Unë i blejë nga arabi, mundem ta dërgojë edhe linkun nuk është problem. Ai i ka 700 mijë linja, i blejë me kriptovaluta, edhe i shes”.

“Kiks Kosova” dhe “Alibi” i kanë vërtetuar këto veprimtari ilegale, duke i faktuar për publikun dhe, në të njëjtën kohë duke ngritur si çështje debati në Komisionin për Media në Kuvendin e Kosovës, që si dukej nuk po i merrte seriozisht deri vonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore