Përballje

Pioli: Nuk u treguam të saktë në fazën finale


Milan-i humbi një mundësi të mirë për t’u shkëputur në krye të tabelës në Serie A, teksa nuk shkoi përtej një barazimi pa gola ndaj Bologna-s në shtëpi.

Pas kësaj ndeshje, ka folur në konferencën për media trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli, i cili pranoi se kishin humbur një mundësi të mirë.

“Është e lehtë të analizosh ndeshjen e kësaj mbrëmjeje. Nuk ishim në gjendje të gjenim atë moment të vogël, topin e fundit, kthesën, goditjen që mund ta ndryshonte atë. Ne bëmë gjithçka tjetër”, tha Pioli për Sky Sport Italia.

“Ne punuam shumë mirë me topin kundër një skuadre të ashpër, por jo aq mirë me topin në këmbët tona”.

Tekniku italian më pas u pyet nëse ekipi i tij gjendej nën presion pas sukseseve të konkurrentëve për titull, Inter-it dhe Napolit.

“Unë e përjashtoj plotësisht idenë se ishte një çështje psikologjike. Skuadra luajti me karakterin, temperamentin dhe mentalitetin e duhur, madje me cilësi deri në të tretën e fundit”, tha Pioli.

“Për momentin po krijojmë shumë raste dhe nuk po i përfundojmë, kjo është e vërteta e treguar nga statistikat. Ne po luajmë futbollin tonë, por jo duke i përfunduar mundësitë”.

“Nuk kam ankesa për këtë ekip përveçse duhet të jemi më të mprehtë dhe më efikas në zonën e penalltisë”.

“Ne luajmë çdo ndeshje për të fituar, kështu që natyrisht ishte një mundësi e humbur, veçanërisht para tifozëve tanë”, tha mes tjerash tekniku italian.

Kujtojmë që aktualisht Milan-i mban pozitën e parë në Serie A me 67 pikë, e ndjekur nga Napoli me 66 dhe Inter-i me 63, por zikaltrit kanë një ndeshje më shumë për ta zhvilluar dhe atë kundër Bologna-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore