Shqipëria

“Pikiata” e Euros në Shqipëri – Për mirë, apo për keq?


Valuta evropiane Euro po shënon në tregun shqiptar një prej vlerave më të ulëta historike që prej lëshimit të saj në fillimin e viteve 2000. Sot në Shqipëri, zyrtarisht, Euro këmbehet me 119.92 lekë, duke rënë kështu poshtë vlerës prej 120 lekësh.

Kjo rënie është afektuar nga një numër i konsiderueshëm faktorësh.

Ndikim i madh ka ardhur nga lufta në Ukrainë. Dhe këtë e thekson vetë eksperti i ekonomisë Selami Xhepa.

“Ecuria e çmimit të monedhës sonë kombëtare, lekut, ndaj monedhës evropiane që nga fillimi i luftës në Ukrainë është luhatur në intervalin midis 120 dhe 121 lekë/Euro. Ditët e fundit monedha është fuqizuar disi duke kapur të njëjtin nivel të ulët rreth 119.8 lekë/Euro që kishte në 12 maj”.

Në të njëjtën linjë qëndron dhe profesori i ekonomisë, Armando Memushi.

“Në gjykimin tim, nënçmimi i Euros në tregun vendas mund të jetë së pari një pasqyrim i asaj çka po ndodh në tregjet ndërkombëtare. Pavarësisht përmirësimit të situatës së pandemisë COVID-19, fillimi i luftës në Ukrainë dhe zgjatja e saj në kohë kanë sjellë perspektiva relativisht të zymta për ekonominë evropiane, si për sa i përket frenimit të rritjes ekonomike ashtu edhe në lidhje me inflacionin në rritje”, tregon ai.

Armando Memushi, profesor ekonomie

Gjithashtu, sipas ekspertëve arsyeja kryesore e kësaj rënieje, mendohet se mund të jetë oferta e Euro-s në treg, e cila paraqitet e lartë.

“Monedha kombëtare ka shfaqur tendenca të forta vlerësuese për një kohë të gjatë ndaj të dy monedhave botërore, euros dhe dollarit amerikan. Prirja fuqizuese e saj i dedikohet faktorëve të ofertës, që lidhen me prurjet e forta valutore në vend. Banka e Shqipërisë duket se është përpjekur ta stabilizojë vlerën e monedhës duke blerë euro në tregun valutor, por prurjet duhet të jenë të mëdha dhe për pasojë vlera e lekut vazhdon të mbetet e lartë”, ravijëzon Xhepa.

Për Memushin, kjo rënie mund të jetë pasojë e ndikimit të faktorëve më “lokalë”.

“Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, niveli i remitancave në vitin 2021 ka qenë më i larti i regjistruar në 12 vitet e fundit, në pasqyrim të ciklit të ri të emigracionit. Investimet e huaja janë rritur gjithashtu, në të njëjtin vit, me më shumë se 10%”.

Mirëpo dhe fillimi i sezonit veror nuk mbetet pas në ndikim.

“Fillimi i sezonit turistik, që këtë vit korrespondon edhe me lehtësimin e masave kufizuese ndaj udhëtimeve për shkak të pandemisë  dhe zhvillimi i finales së Uefa Conference League në Tiranë  kanë sjellë gjithashtu një numër relativisht të madh vizitorësh të huaj në vend. Të gjitha këto hyrje të Euro-s në Shqipëri, të cilave u shtohen edhe flukset informale, duhet të kenë rritur sasinë e monedhës së përbashkët në tregun vendas, duke çuar natyrshëm në nënçmimin e saj”, shpjegon profesori i ekonomisë.

Këtij lloj impakti i mëshon dhe Xhepa.

Selami Xhepa, ekspert ekonomie

“Tashmë edhe sezoni turistik e favorizon shtimin e ofertës valutore dhe nëse Banka e Shqipërisë nuk e zgjeron ofertën e brendshme monetare duke e rritur sasinë e parasë në qarkullim, atëherë prirja e një monedhe të fortë do të jetë të paktën edhe deri në muajt shtator e tetor”.

Çfarë ndikimi ka në ekonomi?

Çdo ndryshim kursi reflektohet dhe në ekonomi. Sipas Xhepës, ekonomia shqiptare karakterizohet nga një shkallë e lartë e përdorimit të Euro-s gjë që e bën impaktin e kursit të këmbimit tek agjentët ekonomik një faktor të rëndësishëm.

“Agjentët ekonomik dhe individët që sigurojnë të ardhurat e tyre në euro dhe shpenzojnë në lekë, sigurisht që goditen negativisht sepse do ju duhen më shumë euro për të blerë të njëjtin produkt apo shërbim të shprehur në monedhën kombëtare, lekë. Ndërsa e kundërta është për importuesit të cilët me të njëjtën sasi lekësh, mund të blejnë më shumë euro që ju nevojitet për të blerë mallra dhe shërbime në tregjet e huaja”.

Nga ana tjetër, sipas tij, eksportuesit sigurisht që ndikohen shumë negativisht ndërkohë që favorizohen importuesit.

“Industritë e brendshme që konkurrojnë me importet ndikohen negativisht pasi ata duhet të konkurrojnë me importe më të lira që vijnë nga jashtë. Financat e qeverisë ndikohen pozitivisht pasi qeverisë i duhet të shpenzojë më pak lekë për të blerë të njëjtën sasi valute në euro për të shlyer detyrimet e saj të shërbimit të borxhit të jashtëm”.

Ndërsa, sipas Memushit nënçmimi i Euro-s është pozitiv për sa i përket nivelit të çmimeve në vend.

Ai shpjegon se “duke qenë se tregjet tona janë të mbizotëruara nga produkte të importuara, një Euro më e dobët do të duhet të sjellë një ulje të çmimeve të tyre”.

“Gjithashtu, borxhi në Euro është tani më i lirë dhe kjo është pozitive si për huamarrësit privatë (që kanë marrë kredi në Euro) ashtu edhe për atë publik, për sa i përket huamarrjes dhe borxhit publik në Euro”.

Për sa i përket ndikimit negativ, sipas profesorit kjo situatë dëmton bizneset eksportuese të cilat sigurojnë tani të ardhura më të ulëta nga shitja e produkteve të tyre në Euro.

Vijimësia e rënies së monedhës Euro, në gjykimin e Memushit do të jetë “të paktën edhe gjatë muajve të verës, kur vendi përjeton pikun e sezonit turistik dhe hyrjeve nga remitancat”.

“Gjithsesi, e gjykoj të vështirë një parashikim afatgjatë, duke pasur parasysh edhe pasigurinë evropiane dhe globale. Zgjatja ose jo në kohë e konfliktit në Ukrainë dhe përparimi i ekonomisë evropiane në rrugën e projektuar për pavarësi energjetike besoj se do të jenë faktorë vendimtarë në përcaktimin e vlerës së monedhës së përbashkët në tregjet ndërkombëtare si edhe në atë vendas”, tregon ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore