Lajme

Pikë e re kufitare, lidhje hekurudhore dhe port të thatë në Strugë, propozon Grubi


Zëvendëskryeministri maqedonas, Artan Grubi, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e përbashkët ndërmjet qeverive shqiptare dhe maqedonase propozoi futjen në marrëveshje hapjen e një vendkalimi të ri kufitar.

Ndërsa prezantonte propozimet, Grubi shpjegoi se për caktimin e vendkalimit të ri do të ngrihet një Komision i përbashkët ekspertësh që do të përcaktojë vendodhjen dhe çdo aspek tjetër deri te çështjet ligjore.

Dy propozimet e tjera kanë të bëjnë me lidhjen e dy vendeve me hekurudhë Shkup-Durrës si dhe krijimi i një “Porti të Thatë” në Strugë që do t’i japë Maqedonisë së Veriut, “dalje në det”.

“Me anë të portit të thatë në Strugë që do të përdoret për ngarkesat që vijnë nga porti i Durrësit, në Porto Romano, duke siguruar qasjen e një vendi pa det në portin e Durrësit, vetëm në këtë mënyrë zhvillohen marrëdhëniet vëllazërore”, tha Grubi.

Ndër të tjera ai tha se nuk është më tabu që kryetari i kuvendit, apo gjyqtari të jetë shqiptar.

“Madje nuk është tabu që dhe kryeministri të jetë shqiptar. Me Shqipërinë kemi marrëdhënie vëllazërore, bilaterale”.

Sipas tyre, edhe ky port është i dizajnuar ngjashëm me Portin e Thatë të Prishtinës.

Porti i Thatë i Strugës do të shërbejë për tregti rajonale nga ku mallrat do të shkojnë edhe në vendet e Rajonit.

E rëndësishme është ndërtimi i autostradës në Korridorin 8, në të cilin aktualisht po punohet dhe do të punohet në të ardhmen edhe më shumë nga kompania Bektel-Enka, e cila kishte ndërtuar rrugën e kombit në Shqipëri dhe rrugën që lidh Prishtinën me Tiranën.

Në këtë segment rrugor aktualisht autostradë e mirëfilltë është rruga Shkup – Tetovë, ndërsa rruga Tetovë – Gostivar pritet që të zgjerohet. Gjithashtu rruga Kërçovë – Ohër është duke u ndërtuar nga kompania kineze, por që ka vonesa të shumta dhe dështime në disa segmente. Më e rëndësishme dhe më e vështirë është rruga, Gostivar – Kërçovë, e cila duhet të kalojë në pjesën malore të kësaj ane.

Në seancën e parë ndërqeveritare të mbajtur në vitin 2017 të dy palët nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi për infrastrukturë, ekonomi, siguri, kulturë dhe arsim. Atë kohë, kryeministri Edi Rama kërkoi nga pala e Maqedonisë së Veriut që të analizojë mundësinë e vazhdimit të aksit rrugor Bllatë – Shkup, për të kompletuar edhe matanë kufirit atë që njihet si Rruga e Arbrit.

Duke vendosur theksin në vullnetin e Zaevit për përmirësim të marrëdhënieve ndëretnike, kryeministri shqiptar kërkoi miratim të Ligjit të gjuhëve, si përmbyllje të Marrëveshjes së Ohrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore