Lajme

Picula: Mënyra më e mirë për t’i dhënë fund krizës në Mal të Zi janë zgjedhjet e parakohshme


“Mënyra më e mirë për t’i dhënë fund krizës në Mal të Zi është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas të cilave do të formohej një Qeveri nga partitë politike që fituan besimin e qytetarëve gjatë procesit legjitim zgjedhor”, vlerësoi raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Tonino Picula, shkruan media malazeze Vijesti.

Picula vuri në dukje rëndësinë e pranisë së Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, si dhe përkushtimin e institucioneve evropiane dhe shteteve anëtare ndaj politikës së zgjerimit.

“Anëtarësimi i Malit të Zi nuk duhet të vihet në dyshim, veçanërisht nëse marrim parasysh pritjet e qytetarëve të tij, partnerëve evropianë, por edhe rrethanat e reja gjeopolitike, ndaj përgjegjësia politike u drejtohet kryesisht autoriteteve malazeze”, shtoi ai.

Këtë të hënë, ai është takuar me këshilltarin e Presidentit të Malit të Zi për sistemin kushtetues dhe çështjet ligjore, Boris Bastijançiç, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Parlamentin Evropian në Bruksel.

Ky i fundit tha se agjenda evropiane duhet të jetë një nga çështjet më të rëndësishme të çdo pushteti të ardhshëm politik, legjislativ dhe ekzekutiv.

Bastijançiç sqaroi se beson se ka ende një mundësi reale për të arritur përparimin e dëshiruar në integrimin evropian bazuar në merita dhe rezultate të dhëna dhe vuri në dukje rëndësinë e vendosjes së funksionalitetit të plotë të gjyqësorit malazez.

Kujtojmë se Qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviç iu votua mosbesimi në gusht të vitit të kaluar, ndërsa në shtator, shumica e re (e vjetër) parlamentare, përkatësisht deputetët e formacionit pro-rus dhe pro-serb “Frontit Demokratik”, “Demokratët”, dhe “URA” arritën marrëveshje që mandatar për formimin e qeverisë malazeze të jetë Miodrag Lekiç.

Mirëpo, kur ia dërguan propozimin e nënshkruar nga 41 deputetë Gjukanoviç’it, ai refuzoi të konsultohet me Lekiç‘in, me arsyetimin se shumica nuk e ka respektuar afatin kushtetues për propozimin e mandatarit.

Më pas, shumica parlamentare miratoi ndryshimet në Ligjin për Presidentin, për të cilat Komisioni i Venecias vlerësoi se nuk janë në pajtim me Kushtetutën, ndërsa Komisioni Evropian apeloi që të respektohet zëri i ekspertëve juridikë ndërkombëtarë.

Gjukanoviç më pas nënshkroi dekretin për shpalljen e ndryshimeve në Ligjin për Presidentin, duke theksuar se ky është obligim i tij kushtetues, por edhe se me këtë përfundon e gjithë puna e tij, sepse, siç shtoi ai, nuk dëshiron të marrë pjesë në zbatimin e dispozitave të ligjit, të cilat janë antikushtetuese.

Ndërkaq, pavarësisht thirrjeve publike për zgjedhjen e gjyqtarëve, përfaqësuesit e partive parlamentare nuk kanë arritur ende tek konsensusi dhe të zgjidhnin të paktën një gjyqtar, për të zhbllokuar Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese është pa kuorum për vendimmarrje që nga mesi i shtatorit të vitit të kaluar, madje edhe nëse së shpejti shpallet konkursi i ri për gjyqtarë, Mali i Zi edhe në këtë vit mund të hyjë me një Gjykata Kushtetuese jofunksionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore