Lajme

Pfizer nuk na mbron plotësisht nga varianti afrikan i Covid-19


Me anë të një studimi laboratorik, është sugjeruar që varianti i Covid-19 në Afrikën e Jugut, mund të zvogëlojë mbrojtjen e antitrupave nga vaksina Pfizer/BioNTech deri në dy të tretat.

Për të diskutuar më gjerë rreth këtij studimi, shkencëtarët e Afrikës së Jugut do të takohen ditën e enjte, më 18 shkurt.

“Unë e di që shkencëtarët tanë do të takohen për ta diskutuar këtë studim”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shëndetësisë, Popo Maja. “Ne nuk do të lëshojmë një deklaratë derisa të na këshillojnë shkencëtarët tanë. Do të drejtohemi nga rregullatori”, shtoi ai.

Për këtë studim, shkencëtarët nga Universiteti i Degës Mjekësore të Texas-it (UTMB) ndërtuan të njëjtin virus, por të inxhinieruar. Ai përmbante të njëjtat mutacione të variantit të zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut, i njohur si B.1.351.

Studiuesit e testuan virusin te njerëzit, të cilët e kishin bërë vaksinën. Ata gjetën një ulje të dy të tretave në nivelin e antitrupave neutralizues. Për shkak se ende nuk ka një pikë referimi për të përcaktuar se çfarë niveli të antitrupave nevojiten për t’u mbrojtur kundër virusit, është e paqartë nëse ky reduktim i dy të tretave do ta bëjë vaksinën joefektive ndaj virusit që po përhapet nëpër botë.

Profesori Pei-Yong Shi

Sidoqoftë, profesori i UTMB-së, Pei-Yong Shi, tha se ai besonte se vaksina Pfizer mund të ishte mbrojtëse ndaj variantit. “Edhe nëse varianti zvogëlon ndjeshëm efektivitetin, vaksina duhet të ndihmojë në mbrojtjen kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes”, tha ai. “Nevojitet më shumë punë për të kuptuar nëse vaksina funksionon kundër variantit të Afrikës së Jugut”, shtoi Yong Shi.

Kompanitë Pfizer dhe BioNTech deklaruan se po bëjnë të njëjtën punë laboratorike për të kuptuar nëse vaksina e tyre është mbrojtëse ndaj një varianti tjetër të gjetur në Brazil. Ndërkohë kompania Moderna ka deklaruar se efikasiteti aktual i vaksinës së saj kundër variantit të Afrikës së Jugut është ende për t’u përcaktuar. Më parë Moderna ka deklaruar se vaksina do të funksionojë kundër variantit.

Sipas këtij studimi është zbuluar se vaksina është akoma në gjendje të neutralizojë virusin dhe se ende nuk ka prova nga njerëzit që varianti zvogëlon mbrojtjen e vaksinës. Këtë e kanë bërë të ditur kompanitë.

Vaksina BioNTech-Pfizer

Vaksina prodhohet bashkërisht nga firma gjermane “BioNTech” dhe gjiganti farmaceutik amerikan “Pfizer”. Vaksina përbëhet nga dy doza, të cilat injektohen me tri javë distancë kohore. Ajo duhet të ruhet në -70 gradë Celsius, një temperaturë shumë më e ulët se temperaturat e ftohjes standard.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore