Lajme

Petkoviç vazhdon me propagandë: Ne e dimë çfarë po kërkon Albin Kurti në Veri


Petar Petkovic

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, është shprehur i shqetësuar për aksionin e Policisë së Kosovës në veri të vendit mëngjesin e 7 korrikut.

Duke folur për këtë aksion ai tha se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “po mundohet të terrorizojë serbet dhe të poshtërojë ata”.

Petkoviç theksoi se policia ka hyrë në Shtërpcë me arsyen se po hiqnin kamerat, por siç thotë ai, këto kamera ka kohë që nuk funksionojnë.

Ai tha se kjo tregon për qëllimin e Kosovës që është “të frikësojë popullin serb dhe ta detyrojë atë të largohet nga Kosova”.

Petkoviç u tregua i zoti edhe me kujtesën kur tha se aksioni i djeshëm i policisë është aksioni i tretë në Shtërpcë që nga fillimi i vitit.

“Vetëm me reagimin e përmbajtur të popullit tonë kemi arritur të shmangim problemet dhe konfliktet e mëdha deri më tani”, tha Petkoviç.

Ai shtoi se është e nevojshme krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Askush të mos mendojë se Beogradi mund ta harrojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Do të numërojmë çdo ditë derisa të formohet”.

Petkoviç theksoi se për Kosovën, veriu i Kosovës është një “fiksim i vjetër” dhe se forcat speciale të policisë së Kosodvës bastisën veriun e Kosovës nëntë herë, megjithëse nuk kanë të drejtë të intervenojnë në veri pa miratimin e KFOR-it.

Policia e Kosovës të enjten e 7 korrikut ka zbatuar urdhrin e Gjykatës së Ferizajt për bastisjen e katër lokacioneve në Shtërpcë dhe largimin e kamerave të vendosura nga strukturat ilegale.

Aksionin e ka konfirmuar për Albanian Post, prokurori Rasim Maloku, duke thënë se është zbatuar një urdhëresë e Gjykatës.

Kurse, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, aksionet e zhvilluara të enjten në disa lokacione i ka konsideruar si të suksesshme.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se lufta ndaj shkelësve të ligjit nuk ka opsion tjetër.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë ka sekuestruar sot kamerat e vendosura dhe të kontrolluara ilegalisht nga strukturat paralele në Komunën e Shtërpcës, si dhe janë sekuestruar pajisje dhe dosje të ndryshme të tyre”.

“Po ashtu, në Zveçan, Policia ka konfiskuar pajisje për prodhimin e kriptovalutave në vlerë prej 55 mijë euro dhe substancë narkotike të llojit marihuanë”, ka shkruar Sveçla, ndër të tjera.

Ndryshe, më 21 dhjetor 2021, në një konferencë për medie, prokurori Rasim Maloku, pati thënë se dyshohet që Bratislav Nikoliç, ish-kryetar i Shtërpcës, ka përfituar mbi 1 milion euro jashtëligjshëm.

Kështu, ky aksion vazhdoi më 6 janar 2022, dhe u zhvillua në disa qytete, kurse cak ishin të përfshirët në hetimin për ndërtimet e paligjshme në Brezovicë.

Nga ky aksion, dy zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës  (MMPH), u arrestuan nën dyshimin për korrupsion, derisa pesë qytetarë janë vënë në pranga nën dyshimin e dhënies së ryshfetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore