Lajme

Petkoviç thotë se takimi i sotëm në Bruksel vetëm në nivel ekspertësh


Drejtori i Zyrës serbe të vetë-quajtur për Kosovën, Petar Petkoviç

Të enjten në Bruksel mbahet takimi i Grupit Punues të delegacionit kosovar dhe atij serb në kuadër të Dialogut Kosovë-Serbi.

Ky takim për temë ka gjetjen e një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të automjeteve mes dy vendeve.

Drejtori i Zyrës serbe të vetë-quajtur për Kosovën, Petar Petkoviç, ka thënë se “ky takim do të jetë vetëm në nivel ekspertësh” i Grupit Punues të emëruar, por jo edhe i Kryenegociatorëve, përkatësisht mes tij dhe Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit.

“Po fillojmë me takimin e parë, ku gjithçka që do të jetë e domosdoshme në mesin e grupit punues do të diskutohet, gjërat që do të jenë të nevojshme për të arritur propozimet për zgjidhje të cilat do të adoptohen pastaj më vonë në nivelin e lartë”, ka thënë Petkoviç para fillimit të takimit në Bruksel.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se të enjten, më 21 tetor do të zhvillohet takimi i parë i grupit punues për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, grupi punues ka për qëllim që të gjejë një zgjidhje të përhershëm për këtë çështje.

“Takimi i parë i grupit punues për targat e veturave me ekspertët nga të dyja palët do të zhvillohet më 21 tetor. Grupi punues ka për qëllim që të gjejë një zgjidhje të përhershme për këtë çështje”, ka deklaruar Stano.

Sipas tij, takimi i grupit punues nuk është në nivelin e kryenegociatorëve, por në nivel ekspertesh, të cilët do të takohen rregullisht.

“Takimet e ekipeve negociuese dhe ato të nivelit të lartë do të zhvillohen në mënyrë të pavarur nga takimet e këtij grupi punues, datë e takimit e cila nuk dihet ende”.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Ndërkaq dhjetë ditë më vonë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa

Marrëveshja zhbllokoi situatën në Veri të krijuar pas bllokadës me barrikada nga ana e serbëve protestues kundër zbatimit të masës së reciprocitetit me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore