Lajme

Petkoviç: Serbia nuk pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB


Petar Petkoviç

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka reaguar pas deklaratave të ministrit për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, i cili është shprehur se neni 2 i Marrëveshjes së arritur fillimisht në Bruksel e më pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut, flet për njohjen de facto të Kosovës nga ana e Serbisë.

“Ai dhe krerët e tij largojnë frikën irracionale të Kurtit ndaj Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me pretendime të pakuptimta për njohje de facto nga Serbia, dhe kjo është padyshim një litar shpëtimi që ata po e kapin në përpjekje për të ngadalësuar rënien e karrierës së tyre politike”, tha Petkoviç, transmeton media opozitare serbe Danas.

Ndërkaq, ai potencoi se Beogradi “ua ka prezantuar qartë vijat e kuqe” delegacionit të Kosovës dhe ndërmjetësve të ndërkombëtarë, duke shmangur kështu sipas tij çfarëdo mundësie që “përmes marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të njihet pavarësia e Kosovës”.

“Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të punojmë sinqerisht në një dialog të civilizuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, forcimin e lidhjeve ekonomike, lehtësimin e jetës së njerëzve që jetojnë në Kosovë, megjithatë, ka kufij të qartë për konstruktivitetin dhe vullnetin tonë të mirë, dhe ato janë të përcaktuara qartë”, shtoi ai.

Po ashtu, Petkoviç deklaroi se “Beogradi nuk do të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, dhe nënvizoi se “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të formohet ashtu siç është pajtuar në marrëveshjet e mëhershme”.

Ndryshe, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, në një intervistë për mediumin opozitar serb, Nova.rs, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës më së largu deri më 18 prill duhet të propozojë të paktën një model se di duhet të duket vetë-menaxhimi për komunitetin serb në Kosovë.

“Aneksi i Zbatimit të Marrëveshjes thotë se përgatitjet duhet të fillojnë 30 ditë pas pranimit të Marrëveshjes. Me sa e di unë janë rreth 15 propozime të BE-së se si të përshtatet [vetë-menaxhimi] në kornizën ligjore të Kosovës”, ka thënë Rashiç fillimisht.

Sipas Rashiç, edhe serbët e Kosovës duhet të përfshihen në procesin ku jepen sugjerime se si duhet të duket Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, në të kundërtën ajo përgatitet nga BE-ja pa u pyetur askush.

“Që në fillim të dialogut kam thënë se duhet të përfshihen edhe serbët nga Kosova, sepse do të vijë koha kur askush nuk do të dojë të marrë përgjegjësi. Tani kemi ardhur pikërisht te kjo. Propozimi për Asociacionin në fund do të bëhet nga BE-ja, pastaj duhet të pranohet nga të dyja palët, pastaj Kosova bën komente shtesë dhe ka për detyrë ta zbatojë”, ka shtuar ai.

Neni 7 i Marrëveshjes për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë përveç se flet për sigurimin e një niveli të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë detyron Qeverinë ta zyrtarizojë edhe statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Megjithatë sipas Rashiç, ekzekutivi nuk ka bërë ende ndonjë propozim se si kjo çështje mund të konkretizohet, paçka i njëjti beson se statusi i Kishës Ortodokse Serbe duhet të zgjidhet në një paketë.

“Edhe kur isha ministër, tre-katër vjet më parë, kam insistuar që toka t’u kthehet kishave dhe manastireve tona. Kryeministri më tha atëherë se do të zgjidhej, por duke qenë se është një nga çështjet më delikate, duhet të zgjidhet në një paketë. Statusi i Kishës si i veçantë, siç e kuptoj unë, nuk do të kontestohet, por do të zgjidhet në paketë”, ka shtuar ai.

Më tej Rashiç, i cili në dhjetor të vitit të kaluar zëvendësoi, Goran Rakiç’in, si ministër për Komunitete dhe Kthim, ka thënë se neni 2 i Marrëveshjes së arritur fillimisht në Bruksel e më pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut, flet për njohjen de facto të Kosovës nga ana e Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore