Kosova

Petkoviç, Qeverisë: Nëse nuk hiqni dorë nga vendimi për targat, fillojmë zbatimin e Asociacionit


Ilustrim: Albin Kurti dhe Petar Petkoviç

Nëse Qeveria e Kosovës nuk heq dorë nga qëllimi i saj për të filluar zbatimin e vendimit për targat dhe kartat e identitetit, serbët nga Kosova do t’i bashkohen përpjekjeve të Beogradit për fillimin e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kështu të paktën ka deklaruar i ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku në mënyrë eksplicite ka kërcënuar institucionet kosovare se do të fillojnë të ndërmarrin hapa ilegale për formimin e Asociacionit në koordinimin me përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës, këtë rast Listës Serbe.

“Serbët nuk kanë çfarë të presin. Nëse ata mund të sillen si të duan, atëherë është normale që serbët të fillojnë të formojnë Asociacioni, tani kanë kaluar dhjetë vjet, ata duhet të sigurojnë të drejtat e tyre”, ka thënë Petkoviç, raporton tabloidi serb, “Danas”.

I pyetur për të dhënë detaje se çka nënkupton me fillimin e formimit të asociacionit, Petkoviç është përgjigjur se “Për çdo gjë do t’ju informojmë me kohë”.

Petkoviç, më tej në shtjellimin e tij të situatës ka thënë se institucionet në Kosovë kur bëhet fjalë për letërnjoftime i referohen nenit 3 të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes,

Sipas këtij neni shpjegon ai, “secila palë mund të zbatojë një sistem ku kartat e identitetit do të shoqërohen me dokumente të shkruara ‘hyrje-dalje’ për banorët e palës tjetër që dëshirojnë të udhëtojnë tranzit në një vend të tretë”.

Petkoviç ka thënë se është optimist se vendet e QUINT-it do të bëjnë presion nda kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, që të heqë dorë nga zbatimi i këtyre vendimeve, në të kundërtën siç po pretendon ai “zbatimi mund të shkaktojë një krizë serioze”.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 85-të kishte miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa “RKS” për të gjitha automjetet e pajisura me targat ilegale, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Vendimi në fjalë ishte kritikuar me tone të ashpra nga pala serbe.

Udhëheqësit serb, vendimin e kishin cilësuar si një presion dhe provokim të radhës ndaj serbeve të cilët jetojnë në Kosovë.

Për këtë ata kishin kritikuar edhe qasjen dhe heshtjen e Bashkimit Evropian.

Pas këtij vendimi, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kishte refuzuar të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të dialogut, i cili ishte paralajmëruar të mbahet në javën e dytë të korrikut.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore