Lajme

Petkoviç: Kosova nuk ka ndërmend ta themelojë Asociacionin


Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, është shprehur se Kosova po përdorë “taktika për ta mashtruar” Brukselin, në mënyrë që mos ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Taktika e Prishtinës për të mashtruar sërish Brukselin dhe për të shmangur krijimin e Asociacionit, sipas 4 marrëveshjeve të nënshkruara, është e qartë. Tashmë është konfirmuar hapur edhe nga ministri i Kurtit, duke treguar se kush po i shkel marrëveshjet”, shkroi Petkoviç në Twitter.

Këto komente ai bëri pas deklaratave të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, në një intervistë në T7, ku tha se Asociacioni “është shtyllë e patejkalueshme. Kurti i ka thënë tri shtylla, e para është Kushtetuta. Pra ne mund ta bëjmë një Zajednicë çfarë po kërkojnë, por menjëherë shkon në Kushtetuese dhe bjen prapë”.

Ndërsa, Petkoviç pretendoi se Kosova do të tentojë të fshihet pas Gjykatës Kushtetuese, por sipas tij kjo nuk do të jetë e mundur.

“Prishtina nuk ka ndërmend të lejojë asnjëherë Asociacionin dhe ata fshihen pas Gjykatës Kushtetuese, ata nuk do të shpëtojnë me këtë!”, përfundoi ai.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, ka deklaruar se Plani Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk ka qënë synim i tij, por megjithatë e ka konsideruar si bazë të mirë për të vazhduar përpara.

“A është kjo ajo çfarë do të paraqiste një marrëveshje e shkëlqyer? Jo. Unë e kam konceptuar në njërën anë si njohje defacto dhe në anën tjetër si mundësi për të ecur përpara. Nuk na mbyllë rrugën përpara. Nuk ta ulë tavanin, por ta forcon dyshemenë”, tha Kurti.

Plani Evropian nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkohet që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Unë mund të kem problem faktin që mund të ketë edhe gjëra të tjera që mund të përfshiheshin këtu. Pra, që nuk mund të përjashtohen. Por, është bazë e mirë dhe nuk mendoj që ka dicka substanciale për ta bërë të papranueshme”, tha Kurti.

Kurti e ka identifikuar veten mbi bazën e kundërshtimit të formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që prej kur u arrit Marrëveshja e Brukselit në vitin 2013, por në këtë intervistë tha se edhe në këtë marrëveshje parashihet themelimi i këtij mekanizmi për serbët e Kosovës.

“Po, ka Asociacion [të komunave me shumicë serbe”, tha shkurt Kurti, duke iu referuar nenin 10 të Marrëveshjes për rrugën e normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku kërkohet që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në kuadër të dialogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore