Lajme

Petkoviç: Është e pamundur të bisedohet seriozisht me Bislimin


Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se negociatat me kryengeociaitorin e Kosovës, Besnik Bislimin “janë shumë të vështira”.

“Negociatat me Besnik Bislimin të hënën në Bruksel kanë qenë shumë të vështira, kanë zgjatur më shumë se tetë orë dhe se është pothuajse e pamundur të bisedohet seriozisht me të”, tha Petkoviç në televizionin pro qeveritar serb TV Pink.

Ai ka pretenduar se pala serbe ishte e përgatitur për takimin e 15 majit, ndryshe nga ajo kosovare, që sipas Petkoviçit, “ishte krejtësisht e papërgatitur”.

“Derisa pala jonë erdhi në negociata me më shumë se shtatë ekspertë dhe me të gjitha propozimet dhe dokumentet, edhe Bashkimi Evropian doli me propozime të caktuara se çfarë duhet bërë më pas në drejtim të hartimit të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe hapat e mëtutjeshëm për veprimin e komisionit të përbashkët për personat e pagjetur”, shtoi ai.

“Bislimi erdhi pa asnjë letër për temat që duhej të diskutonte dhe tha se do t’i dërgonte përgjigjet e tij pas shtatë ditësh. Për ne gjithmonë tema e parë është Asociacioni”.

Më 15 maj, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit Petkoviç-in, pati thënë se pala serbe ka insistuar të flas vetëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Sekuencimi ka qenë për ne tema qendrore, meqenëse kemi pasur parasysh një propozim të zotëri Miroslav Lajçak. Kemi pasur vërejtjet tona, por pala serbe nuk ka dërguar ndonjë propozim, pala serbe nuk ka pasur gatishmëri, kanë thënë se duan të flasin vetëm për Asociacionin”, pati thënë Bislimi para gazetarëve në Bruksel.

Bislimi: Pala serbe ishte e interesuar vetëm për Asociacionin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore