Lajme

Petkoviç ashpërson retorikën: Kurti deshi të na poshtërojë, populli serb do t’i përgjigjet


Petar Petkoviç

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, në një konferencë për media ka thënë se Albin Kurti u përpoq ta poshtëronte Serbinë pas supsendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriç.

“Nuk e dimë nëse Perëndimi i ka dëgjuar këto mesazhe nga Kurti, nuk kemi asnjë reagim nga perëndimi, ai tani dëshiron të ndryshojë dhe të emërojë komandantët e policisë në veri të Kosovës”.

Korrieri serb, lëshoi një ‘kërcënim’ duke thënë se për veprimet e kryeministrit kosovar, “populli ynë do të përgjigjet njëzëri”.

“Ata janë të vendosur të mbrojnë të drejtën e tyre për të qëndruar në vatrat e tyre shekullore. Ata nuk duan të lëvizin me traktorë dhe të largohen nga vatrat e tyre”.

“Serbët kanë vendosur të rezistojnë në mënyrë demokratike dhe paqësore, por që do të luftoni kundër të gjitha mjeteve të tjera nëse dikush i sulmon”.

Tutje, Petkovic i thurri lavde Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vucic, i cili sipas tij, po mbron popullin serb nga një tjetër “Stuhi”.

“Presidenti Vuçic tha se Serbia është me popullin e saj dhe po lufton për popullin e tij të cilin nuk do ta lërë në baltë”, përfundoi ai.

Ndryshe, drejtori rajonal i Mitrovicë së Veriut, Nenad Gjuriç, është suspenduar për shkak të mosrealizimit të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare.

Lajmin e ka bërë të ditur Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate për media.

“Suspendimi i tij është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së”.

Drejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Nenad Gjuriç, ka deklaruar të mërkurën se policia në atë pjesë të Kosovës nuk do ta zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, sepse këtë vendim e ka konsideruar “politik dhe drejtuar kundër komunitetit serb”.

Rakiç: Kemi vendosur, do t’i braktisim institucionet e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore