Lajme

Petkoviç: Aksioni i Policisë në Shtërpce, përpjekje brutale për të frikësuar serbët


Petar Petkoviç Drejtori i Zyrës së ashtuquajtur “për Kosovën” në Serbi

Drejtori i Zyrës së ashtuquajtur “për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviç, ka lëshuar një deklaratë për shtyp ku aksionin policor anti-korrupsion në Komunën e Shtërpcës në Republikën e Kosovës, e quajti “terrorizim i ri nga Albin Kurti”.

“Aksioni i sotëm policor me forca të armatosura speciale në disa fshatra serbe ku arrestuan serbë, është vetëm se një përpjekje tjetër brutale për të frikësuar popullin serb, dhe terrorizim i ri nga Albin Kurti”, shprehet ky zyrtar fiktiv serb.

Petkoviç supozon se Shtërpca është nën bllokadë, dhe se “njerëzve u është pamundësuar të kryejnë punët bazike ditore”.

“Nën mbulesën dhe pretekstin e luftës kundër korrupsiponit, Albin Kurti, përsëri dërgon forcat speciale ROSU me marsh të plotë lufte, me qëllimin e vetëm që t’i kriminalizojë serbët, të cilët kanë mbetur fortesë e mbrojtjes të interesit tonë kombëtar në provincë”, deklaron Petar Petkoviç.

Petkoviç hodhi vrerë mbi Kryeministrin e Kosovës, siç rëndon bën, dhe shprehet se “asnjë veprim i tij nuk do të thyej unitetin dhe rezistencën serbe të trupëzuar në Listën Serbe”.

“Ne do të bëjmë qëndresë pavarësisht këtyre”, shprehet i sigurt ai.

“Ky aksion nuk është gjë e rastit të ketë ndodhur sot, kur Presidenti Aleksandër Vuçiç supozohet të nënshkruajë gjashtë marrëveshje të rëndësishme përmes Ballkanit të Hapur”, vazhdon të supozojë ai.

Policia e Kosovës, konkretisht Departamenti i Krimeve Ekonomike bashkë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, kanë realizuar një aksion në Shtërpcë.

Aksioni i cili ka nisur nga orët e hershme të mëngjesit u tha se ka të bëj me korrupsionin.

Ish-Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç, Drejtori i Urbanizmit e disa zyrtarë të tjerë të komunës së Shtërpcës dhe pronar të firmave, në total 10 persona, janë arrestuar mëngjesin e kësaj të marte me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Bratislav Nikoliç, Ish-Kryetari i Komunës së Shtërpcës

Arrestimi i tyre u bë nën dyshimin se këta persona kanë kryer veprat penale Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, njofton prokuroria Themelore e Ferizajt.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ju njofton se me urdhër të saj dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës -Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë janë duke e zhvilluar një aksion në komunën e Shtërpcës.

Për të gjitha zhvillimet tjera lidhur me këtë aksion do të njoftoheni me kohë nga ana e Prokurorisë.

“Në Brezovicë është duke ndodhur  një bastisje”, kishte konfirmuar për Albanian post, Shukri Jashari, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

“Gjithashtu atje janë ftuar edhe pronarët e kompanive të ndërtimeve”, ka përfunduar Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, pa dhënë më shumë detaje në këtë fazë të aksionit.

“Është një aksion i organizuar nga niveli qendror, po është duke ndodhur aksioni”, ka thënë për Albanian Post, zëdhënësi i Policisë së Ferizajt, Kanun Veseli.

Mësohet se aksioni ka nisur në orët e para të mëngjesit dhe bëhet fjalë për bastisje të disa lokacioneve, deri tani.

Policia e Kosovës përkatësisht njësia e Krimeve Ekonomikë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, janë duke një aksion në gjerë kundër korrupsionit me ndërtimet në Brezovicë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore