Sport

Peshëngritje, Evangjeli Veli merr medaljen e bronztë në Euro 2021


Peshëngritja mbetet një ndër disiplinat më të pëlqyera mes sportistëve shqiptarë. Jo pak herë jemi dalluar në teste force.

Këtë radhë bëhet fjalë për Kampionatin Evropian të Peshëngritjes, i cili është duke u zhvilluar në Rusi (3 prill – 11 prill).

Peshëngritësja Evangjelia Veli arriti të merrte medaljen e parë të bronztë, duke u renditur e treta në stilin e shkëputjes.

 

Edhe pse pak muaj përpara Veli kishte paralajmëruar largimin e saj nga skena e ngritjes së peshave, ja tek është duke i dhuruar një medalje Shqipërisë.

Me peshë 54 kg, Veli filloi sprovën e fuqisë me 87 kg, të cilën e kaloi me sukses. Sa i përket të dytës, asaj me 89 kg, Veli nuk arriti ta mbante lart për aq kohë sa u caktua. Mirëpo, në provën e tretë, me të njëjtën peshë, Veli e kaloi me sukses.

Megjithatë, në stilin e shtytjes, Veli nuk performoi aq mirë sa në atë të tërheqjes.

Saktësia e saj qëndroi vetëm për provën e parë (105 kg). Por, në dy të tjerat me 108 kg, Veli dështoi.

Ekipi kuqezi ka pritshmëri të larta dhe pret të vazhdojë me rezultate edhe më të larta se medalja e bronxit të Velit. Të martën (6 mars) e ka radhën kampioni i Evropës, Briken Calja.

Calja do të garojë në peshën 73 kg. Ndërsa të mërkurë (7 mars), i vjen radha Danjel Godelli dhe Erkan Qerimaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore