Lajme

Pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, Rhode: S’mund të garantojmë për vendimet e vendeve tjera


Jorn Rhode

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë për RTV Dukagjini, kur ka folur për pesëshen mosnjohëse të Bashkimit Evropian, tha se as me marrëveshjen finale nuk mund të ofrohen garanci për këtë gjë.

“Nuk mund të garantojmë për vendimet e vendeve tjera të BE-së. As BE-ja nuk mund të garantojë për pozicionin e Gjermanisë për ndonjë çështje. Megjithatë ne po bëjmë përpjekje që të lëvizim të në drejtim të njohjeve nga këto vende”, tha Rhode.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e fundit me diplomatët evropiano-amerikanë, raportohet se ka vënë një kusht për ta pranuar propozimin franko-gjerman për marrëveshje me Serbinë; ai ka kërkuar garanci se 5-shja e shteteve mosnjohëse brenda BE-së – Spanja, Greqia, Sllovakia, Qipro dhe Rumania – do ta njohin Kosovën.

Në funksion të kësaj, ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak, ka vazhduar përpjekjet e tij diplomatike përgjatë ditëve të fundit në kuadër të disa takimeve bilaterale me përfaqësuesit e këtyre shteteve, të cilët edhe më herët patën deklaruar se qëndrimi i tyre në raport me pavarësinë e Kosovës mund të ndryshojë, por vetëm atëherë kur Kosova dhe Serbia të normalizojnë raportet.

Megjithatë, ambasadori gjerman tha se nuk mund të ketë garanci ligjore se BE-ja do t’i sjellë këto njohje. “Edhe Lajçaku ka folur me shtetet mosnjohëse të Kosovës dhe kjo është një përpjekje e përbashkët ta çojmë këtë temë përpara”.

Ndërkaq, diplomati Rhode ka komentuar edhe propozimin franko-gjerman me të cilin synohet normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe rolin e Gjermanisë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Ne me këtë propozim dëshirojmë që të dalim nga kjo krizë dhe nuk dëshirojmë të humbim shumë kohë. Duhet t’i tejkalojmë çështje si targat, apo largimin e serbëve nga institucionet, duhet të shohim një fotografi më të madhe të zgjidhjes së problemit”.

“Nuk duhet të shpenzojmë energji për çështje të tjera siç janë fushata për tërheqjen e njohjeve apo çështje tjera si targat apo stikerat. Këta probleme duhet të tejkalohen dhe të ecim tutje”, tha Rhode teksa shtoi se shpreson që Kosova do ta kapë momentumin dhe të ecë drejt normalizimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore