Shqipëria

Pesë ish-zyrtarë po hetohen për spiunazh ndaj vendeve jo mike


Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka vënë nën hetim katër ish-zyrtarë të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) dhe një të Policisë së Shtetit, për nxjerrje të sekreteve shtetërore.

Mësohet se SPAK ka nisur hetim për  shtetasit F.Y., Gj.K., B.A., L.C. dhe M.F.

Sipas të dhënave, hetimi ndaj këtyre personave ka nisur që nga janari i vitit të kaluar kur SHISH dha alarmin se disa vende jo mike kanë tentuar të marrin të dhëna konfidenciale nga zyrtarë shqiptarë.

Dyshohet se zyrtarët, kundrejt pagesës, janë kontaktuar nga shërbime të huaja dhe kanë shitur informacione konfidenciale.

Cilët janë pesë “tradhtarët”?

Nga dosja e SPAK bëhet me dije se shtetasi F.Y. ka qenë Drejtor i Krimit të Organizuar në Aparatin Qendror të Shërbimit Informativ Shtetëror, në vitin 2003.

Shtetasi tjetër me iniciale M.F. në vitin 2000 ka qenë pjesë e sektorit të vëzhgimit në Aparatin Qendror të Shërbimit Informativ Shtetëror, ndërsa sot ky person është drejtor në një OJF.

Gj.K., sipas SPAK dhe SHISH, është një ish-oficer Policie që ka shërbyer pranë Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Policinë e Tiranës.

Këta persona, kanë shërbyer si informator të shtetasit tjetër, F.Y.

Kujtojmë se një prej ish zyrtarëve që akuzohet se bashkëpunoi me të huaj, doli në raportin vjetor të SHISH për vitin 2021, ku tregohej se si kishte dhënë informacione të klasifikuara një agjenti të një vendi jo mik, ndërsa zyrtari shqiptar u josh me një bursë për djalin.

Raporti i SHISH

Shefi i SHISH, Helidon Bendo, të martën e 19 prillit, në Komisionin për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë, raportoi mbi aktivitetin e institucionit që drejton për vitin 2021.

Shërbimi Informativ ka dhënë alarmin se në Shqipëri ka prani të aktivitetit të shërbimeve të huaja përmes propagandës, dezinformimit dhe sulmeve kibernetike.

Bendo ka theksuar se konfliktet ndërshtetërore në Ballkan janë duke u shfrytëzuar nga shtete të treta.

Kjo, sipas tij, me qëllim pengimin apo vonimin e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian (BE).

SHISH ka evidentuar gjithashtu praninë e aktivitetit të shërbimeve të huaja të shteteve jo mike në Shqipëri, të cilat synojnë të përkeqësojnë marrëdhëniet me NATO-n.

Bendo shtoi se Shërbimi i kundërvihet veprimtarisë dhe aktiviteteve informative, të drejtuara nga shtetet jo mike, të cilat operojnë kundër interesave të Shqipërisë dhe NATO-s.

Shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Helidon Bendo

Ndër të tjera, drejtori i SHISH-it theksoi se “këto shtete e shërbime jomiqësore me Shqipërinë, përdorin aktivitetet klasike dhe hibride për realizimin e synimeve të tyre”.

“Në veprimtaritë e spiunazhit, ato përdorin një kombinim të metodave të mbyllura dhe të hapura, që përfshijnë propagandën, dezinformimin, sulmet kibernetike, grumbullimin e informacionit sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike, për qëllime spiunazhi kibernetik, për të realizuar aktivitete/operacione influence informative dhe psikologjike”, deklaroi Bendo.

Sipas tij, situata në rajon është karakterizuar nga zhvillime të brendshme politike të brishta, “të cilat kanë sjellë paqëndrueshmëri qeverisëse në disa shtete”.

Këto mosmarrëveshje, ravijëzon drejtori i SHISH-it, po shfrytëzohen nga vendet e treta “për të mbajtur situatën në rajon të destabilizuar, me qëllim pengimin apo shtyrjen në kohë të proceseve integruese në BE e NATO të vendeve të caktuara të rajonit”.

Nga ana e Shqipërisë, ka siguruar Bendo, janë marrë masa “si adaptimi i metodave të reja dhe bashkëkohore për t’iu përgjigjur këtyre kërcënimeve”.

Helidon Bendo nënvizoi se fokusi i SHISH-it për të ardhmen ka qenë dhe do të jetë forcimi i kapaciteteve operacionale dhe kibernetike, për kundërvënien ndaj aktiviteteve të jashtëligjshme që kërcënojnë sigurinë kombëtare.

“Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe analitike ndaj kërcënimeve kibernetike është kryer duke ndjekur në dinamikë situata mbi kërcënime ndaj infrastrukturave publike dhe private të Republikën e Shqipërisë, duke arritur të identifikojë targetin e kërcënimit, llojin dhe natyrën e sulmit”, përmbylli Bendo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore