Kosova

Përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit, Koalicioni i OJQ-ve kërkon që procesi të kthehet në pikën zero


Koalicioni i organizatave jo-qeveritare, FOL, IKD dhe GLPS

Koalicioni i organizatave jo-qeveritare, FOL, IKD dhe GLPS, përmes një raporti të publikuar me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhje së Kryeprokurorit të Shtetit”, kanë kërkuar që përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit të kthehet në pikën zero, pasi sipas tyre ky proces ka dështuar dhe asnjë nga kandidatët nuk ka treguar shkathtësi për këtë pozitë.

Gjatë monitorimit të këtij procesi, ata thonë se kanë parë një trajtim jo të barabartë që iu është bërë kandidatëve.

Gzim Shala nga IKD ka thënë se koalicioni i Organizatave Joqeveritare, ka gjetur se poentimi i panelit vlerësues në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit nuk është fare real dhe se sipas tij, për Blerim Isufajn – njëri nga kanditatët- është vërejtur një preferencë e panelit vlerësues gjatë intervistimit.

Sipas tij, krahasuar me kandidatët e tjerë të cilëve u janë bërë pyetje shtesë, në rastin e Isufaj nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Vlerësimi me 98 pikë për Blerim Isufajn, Shala ka thënë se nuk është real pasi sipas tij është e pamundur që një kandidat të vlerësohet me këtë numër të pikëve.

“Ky lloj vlerësimi kaq i lartë është jo real dhe nuk pasqyron atë që ka ndodhur përgjatë procesit. Gjatë monitorimit të vlerësimit kemi parë trajtim jo të barabartë të kandidatëve pasi ka pasur kandidat që paneli ka pasur preferencë më të madhe”, ka thënë Shala.

Shala, ka shtuar se koalicioni ka gjetur se ky proces nuk ka dizajnim adekuat.

Tutje, ai ka thënë se nëse Këshilli Prokurorial nuk e anulon procesin, topi bie te presidentja Vjosa Osmani.

“Kushtetua dhe ligjet promovojnë një proces të paanshëm kjo frymë pengohet si nga udhëzuesi e po ashtu edhe nga formulari. Disa prej çështjeve në këtë formular janë të ndërtuara mbi bazën e legjislacionit që nuk është më në fuqi. Edhe shumë kandidat e kanë pasur një lloj vështirësi për të dalluar kompetencat ndërmjet Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial”, tha Shala.

Rreze Hoxha nga GLPS, ka kërkuar që komisioni vlerësues ta publikojë vlerësimin për secilin kandidat dhe të anulohet komplet ky proces.

“Koalicioni rekomandon që komisioni të publikojë vlerësimin për secilin kandidat dhe të anulohet komplet përzgjedhja për shkak të shkeljes procedurale. Dhe koalicioni rekomandon të shpallet konkursi i ri. Pyetjet duhet të orientohet më shumë rreth pozitës së Kryeprokurorit. Ne rekomandojmë që intervista të jetë e strukturuar sepse kemi parë qasje jo të barabartë te kandidatët”, tha ajo, teksa ka shtuar se vlerësimi i koalicionit ka qenë që asnjë nga kandidatët nuk ka treguar shkathtësi për këtë pozitë.

Të premten e 18 marsit, zyrtarisht ka nisur intervisitimi i kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.

Pesë prokurorë, kanë aplikuar për pozitën e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të zëvendësuar Aleksandër Lumezin, të cilit i skadon mandati në prill.

Ata të cilët kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Armend Hamiti, Blerim Isufaj, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore