Film

Përzgjedhen tetë aktorët e trupës së pavarur në Artpolis


Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis ka shpallur rezultatet e konkursit për aktorë rezidentë të trupës së pavarur artistike.

Vetëm 8 aktorë prej 18 sa konkurruan gjithsej, arritën të bëheshin pjesë e kësaj trupe të pavarur artistike për 3 vjetët e ardhshme.

Albanian Post ka zhvilluar një intervistë me themeluesen, njëkohësisht drejtoreshën e kësaj qendre, Zana Hoxha, e cila po ashtu është në krye të  “FEMART Festival”.

Sipas Hoxhës, ideja e formimit të trupës së pavarur ka ardhur si një lloj dëshire për të krijuar një stil unik të punës.

“Kemi dashur të formojmë një trupë të pavarur brenda qendrës “Artpolis”, të cilët do të krijojnë vepra artistike duke zhvilluar potencialin e bashkëpunimit dhe duke e konkretizuar atë me prurje unike” thotë Hoxha.

Procesi i përzgjedhjes përfshiu audicionet gjatë të cilave aktorët u vlerësuan në disa sfera si, aspekti fizik (lëvizjet e trupit), shkathtësitë e tyre në dans, puna në grupe dhe improvizim, si dhe teknikën e zërit.

Pas këtyre testimeve, kandidatet i’u nënshtruan edhe një monologu dhe bisede me anëtarët e jurisë të përbërë nga vetë Zana Hoxha, koreografi Robert Nuha dhe pianisti e muzikanti i teatrit Alzan Gashi.

“Ne si komision kemi pasur nota të vlerësimit nga 1 deri në 5, dhe kemi vlerësuar individualisht secilin aktor që ka marrë pjesë në audicionet e mbajtura për këtë përzgjedhje” shton Hoxha.

Fillimisht në planet e panelit të jurisë së “Artpolis”, ishte të përzgjidheshin vetëm gjashtë aktorë, nga të cilët tre nga ta do të ishin djem dhe tre të tjerët vajza.

Por gjërat nuk shkuan siç ishte planifikuar.

Zana Hoxha jep detaje rreth këtij ndryshim plani në momentet e fundit.

“Në planet tona ishte të përzgjidheshin vetëm gjashtë aktorë rezident, por në bazë të pikëve vlerësuese të jurisë diferenca e “fituesve” kundrejt pjesës tjetër ishte vetëm tri pikë”.

Gjatë konkurimeve, tetëshja e përzgjedhur ka lënë mbresa tek juria duke shfaqur përgatitje gjithëpërfshirëse, talent e shumë kualitet.

Kujtojmë se aktorja Zana Hoxha bashkë me Ilire Vincën dhe Burbuqe Berishën, kanë qenë pjesë e nominimeve për çmimin e teatrit të Ligës së Gruas Profesioniste të Teatrit (League of Proffesional Theater Woman) në New York.

Ndryshe, ky është audicioni i parë i këtij lloji për të pranuar një trupë të pavarur të aktorëve rezident në Qendrën për Art dhe Komunitet, Artpolis.

Albanian Post ju sjell edhe listën e plotë me renditje alfabetike të aktorëve të përzgjedhur.

  1. Blerta Gubetini
  2. Donikë Ahmeti
  3. Edlir Gashi
  4. Ismail Kasumi
  5. Kaltrinë Zeneli
  6. Mikel Markaj
  7. Qëndresa Kajtazi
  8. Zhaneta Xhemajli

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore