Zgjedhjet në Kosovë

“Personi më i urryer në Kosovë”


Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka, ka thënë se është bërë personi më i urryer javëve të fundit.

“Qe tri javë personaliteti im është bërë personaliteti më i urryer i këtij vendi duke iu falënderuar disa personaliteteve të caktuara”, tha ajo.

Daka këto komente i bëri gjatë mbledhjes së kryesisë së KQZ-së në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Ndërkaq, anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, kërkoi nga Daka që të flas me emra se kush po e kërcënon.

“Kjo është rënie nën brez. Personalizimet nuk janë në rregull.  Nëse bëni sulme të tilla emra konkret, raste konkrete jepni”, tha Kurteshi.

Muajin e kaluar Daka ka thënë se akuzat e partive politike në adresë të KQZ-së dhe në adresën e saj personale, janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e institucionit, për ta pamundësuar zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi.

Ajo kishte deklaruar se akuzat e partive politike ndaj saj dhe ndaj institucionit që udhëheqë, kanë për qëllim që të “pamundësojnë zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”.

Megjithatë, Daka nuk kishte treguar në mënyrë specifike se nga cila parti ka pranuar kërcënime dhe nuk pranoi pyetje lidhur me atë se kush po e kërcënon.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore