Lajme

Personeli indian i sigurisë u vra pas pritës të ngritur nga Maoistët


Të paktën 22 persona nga personeli indian i sigurisë u vranë dhe 30 të tjerë u plagosën në një pritë të ngritur nga rebelët Maoistë në shtetin qendror Indian të Chhattisgarh-it, incidenti më vdekjeprurës i këtij lloji në katër vjet.

Zyrtarët thanë të dielën e 4 prillit, se personeli i sigurisë që i përkiste njësisë elite CoBRA të Forcës së Policisë së Rezervës Qendrore, Gardës së Rezervës së Qarkut dhe Task Forcës Speciale u sulmuan të shtunën në shtetin e Chhattisgarh-ut gjatë një operacioni kundër kryengritjes.

“Ne mund të konfirmojmë që 22 nga anëtarët e forcës indiane janë vrarë nga luftëtarët Maoist”, tha një zyrtar i lartë qeveritar në Raipur, kryeqytetin e Chhattisgarh të pasur me minerale.

Ata u vranë nga zjarri që zgjati për katër orë në rrethin kufitar të Sukma-s, 540 km (340 milje) në jug të Raipur.

Om Prakash Pal, një zyrtar i lartë i policisë në Raipur tha se po kryheshin operacione për të gjetur një anëtar të forcës së sigurisë që ishte zhdukur.

Të shtunën, oficeri i lartë i policisë DM Awasthi tha se qindra ushtarë të policisë dhe paraushtarakëve bastisën një vend të fshehtë në rrethin Bijapur pasi morën informacione se një numër i madh i rebelëve ishin mbledhur atje. Të paktën pesë punonjës të sigurisë u vranë në incident.

Konflikt dekadash

Rebelët Maoistë, të frymëzuar nga udhëheqësi revolucionar kinez Mao Ce Dun, kanë luftuar qeverinë indiane për më shumë se 40 vjet, në një konflikt që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz.

Më shumë se 10 mijë janë vrarë që nga viti 2000, sipas të dhënave nga Portali i Terrorizmit në Azinë Jugore.

Rebelët pretendojnë të mbrojnë të drejtat e fiseve indigjene dhe grupeve të tjera të margjinalizuara, ndërsa qeveria i quan ata kërcënimin më të madh të sigurisë së brendshme të Indisë.

Maoistët, të njohur gjithashtu si Naxalites, rebelimi i tyre i filloi në 1967 në fshatin Naxalbari të shtetit lindor të Bengalit Perëndimor, i kanë zënë pritë policisë, duke shkatërruar zyrat qeveritare dhe rrëmbyer zyrtarë.

Ata gjithashtu kanë hedhur në erë shinat e trenave, kanë sulmuar burgjet për të liruar shokët e tyre dhe kanë vjedhur armët nga depot e policisë dhe paraushtarakëve për t’u armatosur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore