Shqipëria

Personat me aftësi të kufizuar takojnë Ibrahimaj: Në pritje të një marrëveshjeje


Personat me aftësi të kufizuar të enjten e 2 dhjetorit kanë zhvilluar një takim me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë.

Ky takim erdhi pas një proteste dyditore të personave me aftësi të kufizuar. Këta të fundit u takuan edhe me kryeministrin Edi Rama, i cili u ndal dhe shkëmbeu një bisedë me ta.

“Për momentin do t’ju presë Ministrja dhe më pas unë do të komunikoj me të. Ministrja do t’ju presë brenda. Mos rrini më në shi”, iu drejtua Rama.

Ata diskutuan me Ibrahimaj të gjitha kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me rikthimin e pagesës për energjinë elektrike, kujdestari i tyre të paguhet me pagë minimale dhe të futet te punët e rënda, 80 litra karburant – në mënyrë që të lëvizin – dhe t’u jepet një godinë në bregdetin e Durrësit ose Shëngjinit”.

Kreu i Shoqatës së Invalidëve Para-Tetraplegjikë, Bajram Tirana deklaroi se të premten e javës tjetër do të pritet të mbahet një takim edhe me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“E lamë që ditën e premte dy ministritë të bisedojnë njëra me tjetrën mbi pikat ekonomike që kemi kërkuar”, deklaroi ai para mediave.

Në përfundim ai u shpreh që, “shpresoj që dita e premte të jetë e lumtur për ne”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore