Lajme

Përshkallëzohet mosmarrëveshja për mbajtjen e hijab-it në Indi


Një mosmarrëveshje mbi kufizimet për veshjen e hijab-it nga studentet vajza në një shtet jugor indian është zhvendosur tani në shtetin më të populluar të Indisë, Uttar Pradesh, me një grup të rinjsh që i kërkojnë një kolegji të ndalojë vendosjen e shamisë.

Autoritetet mbyllën kolegjet në Karnataka në jug të Indisë javën e kaluar, pasi një politikë e re uniforme ndaloi studentet të mbanin shami në klasa, duke çuar në protesta të studentëve myslimanë.

Myslimanët e kanë kritikuar ndalimin si një mënyrë tjetër për të margjinalizuar një komunitet që përbën rreth 13% të 1.35 miliardë banorëve të Indisë me shumicë hinduiste.

Në Uttar Pradesh, në veri të vendit dhe në kufi me New Delhi, një grup të rinjsh arritën në Kolegjin Dharma Samaj në distriktin Aligarh të hënën dhe u dorëzuan një memorandum zyrtarëve, duke kërkuar një ndalim të plotë të hijab-it brenda kompleksit të tij.

Ata kishin shalle shafrani rreth qafës – të veshura zakonisht nga hindutë – tha shefi i kolegjit, Mukesh Bharadëaj, duke shtuar se ai nuk i njihte njerëzit.

Aktualisht, veshjet fetare nuk lejohen në klasa, por mund të vishen diku tjetër në kampus.

“Dy vjet më parë u ngrit e njëjta çështje dhe ajo është ngritur përsëri. Ne nuk lejojmë asnjë lloj uniforme fetare dhe kemi një kod civil të uniformës për të gjithë”, tha Bharadwaj, përmes një telefonate me agjencinë e lajmeve “Reuters”.

“Ka një dhomë zhveshjeje për vajzat dhe ato mund të ndryshojnë veshjen e tyre atje përpara se të shkojnë në klasë”, tha ai.

“Ne jemi duke e hetuar këtë çështje”.

Uttar Pradesh, që vlerësohet të ketë po aq njerëz sa Brazili, drejtohet nga një murg hindu, nga partia e kryeministrit Narendra Modi dhe është në mes të një zgjedhjeje shumëfazore që përfundon muajin e ardhshëm.

Mosmarrëveshjet hindu-myslimane përdoren shpesh për përfitime politike në shtet.

Çështja e hijab-it tashmë ka arritur në gjykatë në Karnataka.

Seancat do të rifillojnë të martën nëse hijab duhet të lejohet në klasë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore