Lajme

Përshkallëzimi i luftës së Putin-it po përshpejton rënien demografike të Rusisë


Vladimir Putin ka kaluar vite me synimin për të stabilizuar popullsinë e vendit që ai udhëheq, Rusisë.

Por mijëra viktimat në fushën e betejës, regjistrimi i 300 mijë rezervistëve për t’iu bashkuar luftës dhe largimi i madh i burrave jashtë vendit, kanë shkuar kundër synimit të tij.

Ndërprerjet gjymtuese nga lufta po konvergojnë me një krizë popullsie të rrënjosur në vitet 1990, një periudhë e vështirësive ekonomike pas shpërbërjes sovjetike që solli rënien e normave të lindshmërisë.

Për demografin e pavaruar Alexei Raksha situata mund të quhet thjesht “një stuhi e përsosur”.

Qeveria e Putin-in kishte bërë gati planet për fillimin e ndryshimit të rënies së popullsisë vendase në vitin 2022 përpara se rritja të rifillonte në vitin 2030.

Javë përpara se mobilizimi të shpallej, një raport i brendshëm i hartuar për një takim me dyer të mbyllura ka treguar se zyrtarët ishin të mendimit se përmbushja e atyre objektivave ishte jorealiste.

Raporti, duke përmendur pasojat e pandemisë dhe migracionit, propozonte një rishikim që parashikonte një rënie prej 416 mijë e 700 njerëzve në vitin 2030.

Në muajt e ardhshëm, nëse operacionet ushtarake vazhdojnë, Rusia mund të ketë më pak se 1.2 milionë lindje, më e ulëta në historinë moderne, sipas demografit Igor Efremov.

Vdekjet totale në Rusi janë mesatarisht afro dy milionë në vit, megjithëse numri u rrit gjatë pandemisë dhe iu afrua shifrës 2.5 milionë vitin e kaluar.

“Goditja kryesore ndaj lindshmërisë do të jetë indirekte, sepse shumica e familjeve do të kenë horizontin e tyre të planifikimit të shkatërruar plotësisht”, ka thënë Efremov.

Dhe se ndikimi do të jetë më i fortë sa më gjatë të zgjasë mobilizimi.

Ekonomia e Rusisë është tanimë e uritur nga punonjësit e rinj dhe në rrezik të stanjacionit ose më keq akoma, shumë kohë pas përfundimit të luftës.

Media amerikane “Bloomberg” e ka vlerësuar normën potenciale të rritjes së Rusisë në 0.5 për qind, dy pikë përqindje më poshtë se para luftës.

Po ashtu me demografinë që përbën rreth një të katërtën e uljes.

Sipas ekonomistëve, sfidat e barrës së popullsisë ka të ngjarë të shtohen për Rusinë e Putin-it që planifikon të aneksojë zona të Ukrainës me një demografi të pafavorshme.

Teksa traumat demografike ndodhin zakonisht gjatë dekadave, pasojat e pushtimit po i bëjnë skenarët e këqij më të mundshëm dhe shumë më shpejt se sa pritej.

Në momentin më të vështirë për demografinë ruse, mobilizimi po i përmbys familjet e atjeshme. Numri i grave në moshë për lindjen e fëmijëve ka zënë rreth një të tretën në dekadën e fundit.

Nga ana tjetër, ai po përkon me një nga normat më të larta të vdekjeve në botë, si dhe me një treg pune të varfëruar dhe gri, krahas imigracionit dhe pyetjeve rreth aftësisë së Rusisë për të tërhequr punëtorë nga jashtë.

Prej kohësh, demografia e Rusisë për Putin-in ka qenë një çështje ekzistenciale dhe vetëm vitin e kaluar ai ka deklaruar se “shpëtimi i popullit rus është prioritet kryesor kombëtar”.

Gjithashtu ka udhëhequr përpjekjet për politika të kushtueshme që kanë kontribuar në një fitim të madh të jetëgjatësisë dhe që varionin nga pagesat e njëpasnjëshme për nënat e reja deri te lehtësimi i hipotekës për familjet.

Por teksa vendi iu afrua pushtimit në shkurt, vetvetiu po shkonte drejt vitit më vdekjeprurës që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ajo arriti në 145.1 milionë më 1 gusht, një rënie prej 475 mijë e 500 që nga fillimi i vitit dhe më pak nga 148.3 milionë në vitin 1991, kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik.

Për Efremov, vazhdimi i luftës dhe mobilizimi deri në fund të pranverës së ardhshme do të ishte “katastrofik” dhe ka të ngjarë të zvogëlojë lindjet në vetëm një milion në 12 muajt që vijnë deri në mesin e vitit 2024.

Sakaq, shkalla e fertilitetit mund të arrijë në 1.2 fëmijë për grua, një nivel që Rusia e ka prekur vetëm një herë në vitet 1999-2000.

Ndërkohë që, për të mbajtur popullsinë të qëndrueshme, nevojitet një normë fertiliteti prej 2.1.

“Ka të ngjarë që në kushtet e pasigurisë, shumë çifte të shtyjnë lindjen e fëmijëve për ca kohë derisa situata të stabilizohet”, ka thënë studiuesja Elena Churilova.

Në vitin 2023, sipas saj, ka të ngjarë të shihet një rënie e mëtejshme e nivelit të lindjeve.

Marrë nga “Bloomberg”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore